Sport

Fenomeni kurdisje, konfirmohen hetimet

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, me bindje të plotë ka thënë se në Kosovë, ka ndeshje të kurdisura.

Se ka ndeshje të kurdisura, ministri Gashi e deklaroi disa herë të hënën mbrëma në emisionin “Puls” të KTV-së.

Madje, është herë para që një zyrtar i lartë publikisht ka folur për ndeshje të kurdisura në futbollin kosovar.

Por, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka ftuar ministrin Gashi të bashkëpunojë në rast se ka fakte se në Kosovë ka ndeshje të kurdisura.

Ademi ka thënë se ndeshjet në Kosovë, këtë edicion kanë qenë të vëzhguara si kurrë më parë.

Për t’i monitoruar ndeshjet, UEFA në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare ‘Radarsport’, vepron përmes një sistemi të zbulimit të basteve, i cili monitoron dhe analizon aktivitetet e ndeshjeve në Evropë.

Ademi ka theksuar se për t’u marrë me ndeshje të dyshimta është krijuar edhe Këshilli Kombëtar për Dukuritë Negative. Ai ka shtuar se janë edhe kontrollorët dhe delegatët që raportojnë për ndeshje të dyshimta.

Se ka ndeshje të dyshimta e thotë edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, Besim Kelmendi, i cili vjen nga Prokuroria e Shtetit.

Prokurori Kelmendi për “Sportin në KTV” ka thënë se është ngritur edhe kallëzim penal. Por, ai nuk ka zbuluar se për cilën ndeshje bëhet fjalë.

Televizioni nga burimet e saj ka mësuar se bëhet fjalë për ndeshjen e luajtur në Mitrovicë ndërmjet Trepçës dhe Fushë Kosovës, në kuadër të Ligës së Parë.

Por, Kelmendi ka theksuar se ka edhe dyshime për ndeshje tjera të kurdisura dhe për ato është duke u marrë Policia dhe Prokuroria.

Televizioni të martën ka pyetur edhe Policinë e Kosovës, nëse ka ndeshje të dyshuara për kurdisje. Por, nuk ka marrë përgjigje.

Redaksia e “Sportit në KTV” i është drejtuar me pyetje edhe UEFA-s, nëse ka informata që kanë nisur hetime për ndeshje të kurdisura në Kosovë.

“Nuk kemi asnjë informatë për këtë. Në përgjithësi, UEFA asnjëherë nuk jep komente në hetime për kurdisjen e ndeshjeve për të mos rrezikuar procesin e hetimeve të tilla. UEFA komunikon vetëm në rastet e veçanta atëherë kur procedurat disiplinore hapen apo kur vendimet janë marrë”, thuhet në përgjigjen e UEFA-s.

Në nenin e ri të Kodit Penal të Kosovës, për kurdisje të ndeshjeve janë paraparë dënime prej gjashtë muaj deri në dhjetë vjet.

Por, deri tash asnjë person nuk është dënuar, me përjashtim të vendimit të marrë në vitin 2010 nga Federata, që e pati larguar Fushë Kosovën në rangun më të ulët të garave në Kosovë.

Akuzat për kurdisje janë bërë fenomen në Kosovë.