Sport

Kosova pa boshtin e skuadrës në ndeshjet e rëndësishme të qershorit

 

Dy ndeshjet e qershorit pritet t'i japin kah rrugëtimit të Kosovës në eliminatoret për "Euro 2020". Por përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk do të mundë të shfaqë potencialin e plotë që e ka në sfidat në udhëtim me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Ekipi i përzgjedhësit Bernard Challandes është goditur nga lëndime të lojtarëve të rëndësishëm para ndeshjeve të qershorit.

Challandes nuk do të mundë të llogarisë në lojtarët kyç të mesfushës. Kështu në repartin e mesfushës do të luajnë lojtarë që kanë pasur pak hapësirë në vitet e fundit apo të tillë që janë ftuar për herë të parë, apo që nuk janë ftuar për kohë të gjatë. Ka gjasë që qendra e mesfushës të improvizohet me lojtarë të specializuar për pozita të tjera, shkruan sot Koha Ditore.