Sport

Barcelona kundër Valencias në finalen e Kupës së Mbretit

Foto: Yahoo Sports

Barcelona do ta kërkojë ta mbyllë sezonin që e pati me ngritje e ulje në mënyrën më të mirë, kur do të përballet me Valencian në finalen e Kupës së Mbretit.

“Blaugrana” e fitoi një titull tjetër në La Liga, por mënyra se si u largua nga Liga e Kampionëve nga Liverpooli, i ka lënë shije të keqe këtë edicion, transmeton KTV. Një fitore e mundshme të shtunën, do të ishte një lloj lehtësimi për skuadrën e Ernesto Valverdes.

Valencia, nga ana tjetër, në javët e fundit ka shkëlqyer duke e siguruar edhe vendin e katërt në elitën e futbollit të Spanjës për herë të dytë rresht.
 

Barça në radhët e veta do të ketë mungesa në sulm, me Luis Suarezin e Ousmane Dembelen që janë të lënduar, ndërsa mungon edhe Arthur.

Megjithatë, Barcelona e ka Lionel Messin dhe pasi e shënoi golin e 50-të të sezonit të dielën që lamë pas, nuk ka shenja se argjentinasi dëshiron të ndalet.

Valencia, me arritjen e Ligës së Kampionëve, e ka plotësuar edhe objektivin për këtë kampionat, pavarësisht se ka qenë vetëm katër pikë larg zonës së rrezikshme në tabelë në muajin janar.

E triumfi në Kupë do të ishte bonos i madh për “Los Che”, trofe të cilin e fitonin para 11-të vjetësh, kurse “Blaugrana” e synon triumfin e pestë të njëpasnjëshëm në Copa del Rey.

Finalja e madhe e Kupës së Mbretit zhvillohet të shtunën në ora 21, në stadiumin Benito Villamarin, që është shtëpia e skuadrës së Real Betisit.