Sport

Prishtina arsyeton dështimin

Foto: KF Prishtina/Arkiv

Klubi i futbollit “Prishtina” ka thyer heshtjen dhe u ka dalë në mbrojtje futbollistëve, të cilët dështuan të shpallen kampion i Kosovës në futboll.

Madje, ka kërkuar nga ata që ta mbajnë kokën lart dhe të vazhdojnë me tij, ndonëse titullin e fundit e kanë fituar gjashtë vjet më parë, transmeton KTV.

Deri para këtij postimi, Prishtina ka qenë e mbyllur për mediat.

“Të gjithë ata që iu njohin e dinë sa keni sakrifikuar për një vit gara. Krejt çfarë keni arritur e keni vetëm me mundin tuaj. Humbja e titullit dhemb shumë, por mundin në 32 ndeshjet e tjera askush s’mund t’ua humbë. Gjenerata juaj do të mbahet mend për çiltërsinë dhe karakterin e lartë që keni treguar. FC “Prishtina” ka vite që nuk ka pasur ekip më unik e të bashkuar, të drejtë moralisht e sportistë të vërtetë”, thuhet në njoftimin e klubit Prishtina në faqen zyrtare në “facebook”.

Por, ky postim i klubit Prishtina është përcjellë me reagime të ashpra nga shumë lexues.

Prishtina, mund ta shpëtojë sezonin, duke dalë në Evropë, vetëm nëse Feronikeli e mposhtë Trepçën ’89 në finale të Kupës.