Nëse për inkuadrimin e Prishtinës në Ligën e Adriatikut në basketboll diskutohet në mënyrë zyrtare, atëherë klubi Igokea do të dalë nga kjo ligë. Kështu ka deklaruar menaxheri i përgjithshëm i klubit Igokea, Igor Dodik.
Dodik mban edhe postin e kryetarit të Ligës së Adriatikut në basketboll, transmeton Koha Ditore.
Z Mobile Prishtina së fundi sërish ka shprehur publikisht interesimin që të bëhet pjesë e Ligës së Adriatikut, por kjo vlerësohet se nuk ka shumë gjasa të ndodhë, për shkak të ndikimit të madh serb në këtë ligë. Igokea është klub serb nga Republika Srpska e Bosnjë-Hercegovinës.
"Igokea do të largohet nga Liga ABA nëse në kuvendin e ardhshëm do të shqyrtohet paraqitja e Prishtinës në këtë ligë", ka thënë Dodik, përcjell sajti "srpskainfo.com".
"Ky është qëndrim imi personal dhe flas në emrin tim. E di që janë disa iniciativa që Prishtina të hyjë në garë, por e di po ashtu që një ide e tillë nuk e ka përkrahjen e klubeve. Ndoshta ka të tillë që do ta përkrahnin këtë. Qëndrimi im për këtë çështje është i qartë. Nëse për këtë diskutohet zyrtarisht në Kuvendin e Ligës ABA, Igokea do të dalë nga kjo ligë", ka theksuar Dodik.