Të mërkurën do të luhet finalja e Kupës së Kosovës në futboll (femrat), ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë (19:00).
Në finale takohen Kosova e Prishtinës dhe Mitrovica. FFK-ja ka njoftuar se hyrja në stadium është falas.
Në gjysmëfinale Kosova (P) kishte eliminuar Lirinë, ndërsa Mitrovica Feronikelin.
Ndërkohë finalja e Kupës te futbollistët do të zhvillohet të premten (20:45) po në stadiumin "Fadil Vokrri". Përballë do të jenë kampioni, Feronikeli dhe Trepça '89. Skuadra mitrovicase më pas do të luajë edhe ndeshjen e barazhit për mbetje në Superligë.
Ndeshjet për Kupë dhe ato të barazhit do t'u lënë vend ndeshjeve të përfaqësueseve. FFK-ja të hënën ka njoftuar se përfaqësuesja U-19 e Kosovës do të luajë dy miqësore me Shqipërinë, më 3 e 5 qershor. Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi ka ftuar 23 futbollistë për këto dy ndeshje. Ai po e përgatit ekipin për eliminatoret e ardhshme për Evropian.