Sport

Ardita kërkon të gjuajë në zemër të “Minsk 2019”

Ardita Zejnullahu është njëra prej disa sportistëve të Kosovës që kanë përfituar në emër të universalitetit dhe kështu ka fituar të drejtën të përfaqësojë vendin në lojërat evropiane “Minsk 2019” që mbahen në kryeqendrën e Bjellorusisë në fund të qershorit. 

Shigjetarja Zejnullahu do të marrë pjesë në ngjarjen e madhe me ftesë të organizatorit, ndërsa do të garojë në hark olimpik. Pjesëmarrja me ftesë shpesh nënkupton që garuesi nuk ka gjasa të mëdha për sukses, por Zejnullahu ka synimet e saj. 

“Jam shumë e kënaqur që do të garoj në Lojërat Evropiane. Pjesëmarrja në këtë ngjarje besoj shumë se është synim i çdo sportisti evropian. Një mundësi e tillë vjen vetëm një herë prandaj do të thotë shumë për mua”, ka thënë Zejnullahu për gazetën Koha Ditore.

 Me ftesë të organizatorit në Lojërat e dyta Evropiane, Kosovën e përfaqësojnë edhe boksierja Donjeta Sadiku, karateisti Alvin Karaqi dhe pingpongisti Fatih Karabaxhaku. Ndërkohë norma ka siguruar pesë xhudistë e dy mundës. 

“Renditja në vijën e zjarrit me garuesit më të mirë të Evropës është një përvojë tejet e rëndësishme për mua dhe për sportin e shigjetarisë në përgjithësi. Synimi është të kem paraqitje sa më dinjitoze, megjithëse kushtet për stërvitje më pamundësojnë që të jap maksimumin. 

Por unë gjithnjë synoj për më të mirën dhe do të punoj shumë që performanca ime të jetë në nivelin e duhur për këtë garë”, ka shtuar Zejnullahu. 

Ajo ishte njëra prej 40 sportisteve që ishin përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën në lojërat mesdhetare “Tarragona 2019”. Për Lojërat Mesdhetare, shigjetarja thotë se ka dalluar si garë nga të tjerat ku është paraqitur...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)