Në xhiron e fundit të La Ligës spanjolle, vendi i parë u sigurua nga Barcelona, i dyti nga Atletico Madridi e i treti nga Real Madridi.
Megjithatë, është në pikëpyetje se kush do t’i bashkëngjitet në elitën e futbollit evropian për klube, treshes kryesuese.
Valencia, me 58 pikë, është në vendin e katërt, aq sa ka edhe Getafe në vendin e pestë, ndërsa në vendin e gjashtë është Sevilla me dy pikë më pak, 56.
Valencia, të shtunën luan në udhëtim te Real Valladolidi që ka mbetur në ligë edhe për sezonin tjetër, transmeton “Sporti në KTV”.
Megjithatë, “Lakuriqët” kanë përparësi në tabelë ndaj Getafes për shkak se në ndeshjet e ndërsjella qëndrojnë më mirë, me një fitore e një barazim.
Getafe e pret Villarrealin e shpëtuar prej rënies nga liga në ora 16:15 të shtunën.
Rekordmenia e Ligës së Evropës, Sevilla, ka gjasa më të vogla në këtë drejtim.
“Andaluzianët”, të shtunën, po ashtu në ora 16:15, do të luajnë kundër Athletic Bilbaos, që kërkon kualifikimin direkt në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
Momentalisht, Bilbao është në pozitën e shtatë me 53 pikë, tri më pak se vendi i gjashtë.