11 milimetra ia kishin mohuar Liverpoolit një gol në ndeshjen e 3 janarit në Etihad me Manchester Cityn, ndeshje që do të mund t’ia sillte sot titullin ekipit të Jurgen Kloppit.
Në kohën kur ekipi i Kloppit ishte shtatë pikë para Cityt në garën për titull, “Të Kuqtë” vizituan Etihadin me shansin për të ikur në dhjetë pikë para.
Pas 18 minutash lojë, kur rezultati ishte akoma 0 me 0, Sadio Mane gjuajti drejt portës së Edersonit dhe goditi shtyllën e mbrojtësi John Stones arriti të largojë topin nga vija e portës. City më pas fitoi ndeshjen me rezultat 2 me 1.
Teknologjia e golit tregoi se topi ishte vetëm 11.7 milimetra afër që të kalonte gjithë vijën për t’u konkretizuar si gol për “Të Kuqtë”.
Pasi Manchester City arriti që të përmbysë dallimin në pikë dhe këtë të diel të shpallej kampion për herë të dytë rresht, BBC ka kujtuar momentin “special” siç e quajti Stones teksa festonte titullin.
“11.7 milimetra larg titullit, 11.7 milimetra larg sezonit pa humbje”, shkruan mediumi prestigjioz për të kujtuar se Liverpooli edhe pse mbylli sezonin me vetëm një humbje, pikërisht kjo nga City, nuk arriti të shpallej kampion.
City u shpall kampion me 98 pikë, vetëm një më shumë se Liverpooli.