Hendboll, nesër ndeshjet e para të plejofit Foto: Ilustrim

Hendboll, nesër ndeshjet e para të plejofit

10 May 2019 23:07

Të enjten ka përfunduar stinori i rregullt në Superligën A, ndërsa të shtunën (nesër) luhen ndeshjet e para gjysmëfinale të plejofit në kampionatin e Kosovës në hendboll. Nga ora 17:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë takohen Besa Famgas e Vëllaznimi.

Besa Famgas është kampione në fuqi, ndërsa ka dominuar kampionatin në vitet e fundit. E ka mbyllur stinorin e rregullt në vend të parë me 52 pikë, raporton “Koha Ditore”.

Vëllaznimi është renditur i katërti me 22 pikë, sa i mblodhi edhe Vushtrria në vend të pestë. Por për shkak të bilancit më të mirë në përballjet direkte, Vëllaznimi ka zënë vend në plejof.

Gjysmëfinalja tjetër zhvillohet ndërmjet Kastriotit e Prishtinës, ndërsa përballja e parë është të shtunën (nesër) nga ora 19:00 në Ferizaj. Kastrioti ka përfunduar i dyti me 49 pikë, ndërsa Prishtina e treta me 40 pikë.

Kastrioti të dielën fitoi kupën, duke mposhtur Prishtinën në finale me një gol dallim. Skuadrat që shënojnë dy fitore, apo një fitore e një barazim, kalojnë në finale. E njëjta gjë vlen edhe për plejofin në Superligën e hendbollisteve.

Te hendbollistet po ashtu ndeshjet e para gjysmëfinale të plejofit luhen të shtunën (nesër). Istogu i vendit të parë e pret Shqiponjën e vendit të katërt, nga ora 19:00 në Pejë.

Vushtrria e vendit të dytë dhe Prishtina e vendit të tretë takohen nga ora 17:00 në Vushtrri. Shqiponja është kampione në fuqi, ndërsa Istogu të dielën fitoi Kupën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme