Rrëfimi për ekipin e vajzave që fitoi ligën e djemve pa humbje

Rrëfimi për ekipin e vajzave që fitoi ligën e djemve pa humbje

04 May 2019 12:37

Një ekip i vajzave të reja është bërë i pari në Britani që ka fituar titullin e kampionit në ligën e djemve. Vajzave të reja iu lejua të garojnë me meshkujt, meqë nuk ka ligë të gjinisë së tyre për grupmoshën U12, por tash kur stinori po shkon nga fundi, djemtë mund të jenë pishman që i pranuan në garën e tyre, e gjithsesi edhe të turpëruar.

Ekipi U-12 i SB Frankfort po shkon drejt një stinori përrallor. Nuk di ende për humbje. Ka shënuar 13 fitore e tri barazime në 16 ndeshje, ndërkohë ka shënuar plot 73 gola. Me këtë ritëm të lartë, SB Frankfort arriti të shpallet kampion dy xhiro pa përfunduar edicioni në ligën DJM të djemve.

Vajzat nga qyteti i Plymouthit janë të parat në Britani që kanë fituar titullin e kampionit në një ligë të djemve. Në klub ky sukses llogaritet i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh se ekipi është themeluar para katër vjetësh. Njëherësh, ky është ekipi i vetëm i femrave në këtë rajon.

“Është një arritje e jashtëzakonshme për gjithë ekipin. Të gjitha lojtaret kanë luajtur rol të rëndësishëm këtë edicion, i cili është i pari dhe më i suksesshmi deri më tash. Ekipi ka vetëm katër vjet që është themeluar dhe unë jam shumë krenar për këtë sukses”, ka thënë trajneri James Brown-Tunnell, shkruan “Yahoo!Sports”, transmeton “Koha Ditore”. “Synimi ynë kur u inkuadruam në këtë ligë ishte që vajzat të sfidohen nga meshkujt. As që kam ëndërruar se do të shpallemi kampion, lëre më të mos e regjistrojmë asnjë humbje. Kur jemi pranuar në ligën e djemve kishte shumë dyshime për ne, por vajzat dëshmuan se meritojnë të luajnë në këtë ligë”.

Sipas trajnerit të ekipit, synimi tash është që edhe dy ndeshjet e ardhshme t'i përfundojë pa humbje. Krahas titullit, ekipi i vajzave SB Frankfort do të luajë edhe në finalen e ligës më 12 maj.

“Në fillim kundërshtarët na përqeshnin, por kur filluam të dëshmojmë forcën tonë në fushë, të gjithë filluan të na respektojnë. Të gjitha vajzat në ekip ëndërrojnë që një ditë të luajnë për ekipet e mëdha të Anglisë”, është shprehur Kelly 12-vjeçare, që është edhe kapitene.

Ndihmëstrajneri John Preston pranon se askush në ekip nuk ka besuar në një edicion kaq të suksesshëm. Thotë se ekipi ka pasur telashe të mëdha derisa është pranuar në ligën e djemve. Sipas tij, SB Frankfort ka bërë dhjetëra kërkesa derisa ka marrë dritën e gjelbër.

“Kemi pasur ndeshje të forta, por vajzat tona nuk u dorëzuan për asnjë moment. Duam që edhe dy ndeshjet e fundit t'i fitojmë dhe pastaj ta rrëmbejmë edhe kupën. Ky edicion është fantastik për ekipin tonë, i cili bëri përpjekje të mëdha për të luajtur në ligën e djemve”, shprehet Preston. “Ne vetëm donim që vajzat të luajnë çdo javë futboll dhe nuk na interesonin rezultatet. Por ato na befasuan për të mirë, duke ua dëshmuar të gjithëve se mund të maten me djemtë. Përfundimisht, ky ekip ka të ardhme”.

Suksesi i SB Frankfort ka tërhequr vëmendjen edhe të sponsorëve, pasi tash e tutje ekipi do të jetë nën përkujdesjen e fabrikës së madhe dhe të njohur të mobileve në Angli “KF Kitchens”. Kjo fabrikë tash e tutje do të jetë sponsor gjeneral i ekipit SB Frankfort. Edhe kjo mund të llogaritet trofe në vete.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme