Sport

Fundi i stinorit rrit presionin te trajnerët në Spanjë

Kanë mbetur vetëm edhe katër xhiro deri në fund të stinorit në La Liga, por disa trajnerë mund të mos mbijetojnë deri atëherë.

Trajneri i Real Betisit, Quique Setien dhe ai i Gironas, Eusebio Sacristan janë në presion të madh pas serisë së humbjeve, ndërsa trajneri i Deportivo Alavesit, Abelardo Fernandez ka acaruar marrëdhënien me pronarin e klubit lidhur me të ardhmen e tij, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.

Betisi nuk është në rrezik të bie nga liga, por është duke përfunduar stinorin aq dobët sa që Setien po e ndjen nxehtësinë në karrigen e tij.

Betisi ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit në ligë, ndërsa ka pësuar humbje 3:2 nga rivali lokal Sevilla gjatë kësaj serie.

“Nuk më mbetet mua të vendos, por unë jam i bindur se do të mbetem”, ka thënë Setien të mërkurën, pasi skuadra e tij pësoi humbjen më të rëndë të stinorit, 4:0 në udhëtim ndaj Levantes. “është e vërtetë se klubi është në situatë të vështirë, pasi jemi në presion të madh. Ne do të kishim dëshirë që gjërat të shkonin më mirë. Nganjëherë planet e klubit dhe pritjet nuk përputhen. Por, do të befasohesha nëse klubi do të më shkarkonte këtë javë”, shtoi ai.

Setien ka ndarë tifozët e Betisit që nga ardhja e tij dy vite më parë. Janë ndarë në dy grupe: ata që pëlqejnë futbollin e tij ofensiv dhe ata që thonë se ai lë mbrojtjen tepër të ekspozuar. Betisi ka shënuar disa fitore të mira, siç ishte ajo 4:3 në udhëtim ndaj Barcelonës në nëntor, që ishte humbja e fundit e Barçës në këtë garë, por ka pësuar edhe humbje të rënda.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)