Nuk ka ndryshuar asgjë në garën për titull xhiroja e 28-të e IPKO Superligës së Kosovës në futboll, që nisi të shtunën e përfundon të hënën (sot). Tri skuadrat pretendente për titull të kampionit kanë shënuar fitore dhe kështu gara mes tyre ka mbetur në pikën e njëjtë, ku ishte para se të fillonte xhiroja e 28-të. Presioni te Feronikeli, Prishtina e Llapi është rritur edhe më shumë, ndërsa secili gabim eventual në pesë xhirot e fundit mund të largojë këto tri skuadra nga gara për kampion.
Pasi të shtunën fitore shënuan Prishtina e Drenica, të dielën të njëjtën gjë e bëri edhe Feronikeli. Për dallim nga Prishtina, që fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Gjilanit me gol të shënuar fare në fund, Feronikeli e mposhti KEK-un me rezultat bindës, 4:0. Llapi të shtunën fitoi 2:0 ndaj Drenicës në Skënderaj, shkruan sot Koha Ditore.
Feronikeli i Drenasit prin me 65 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vend të dytë. Llapi është i treti me 63 pikë.
KEK-u, i dorëzuar shumë më herët në garën për mbijetesë dhe që ka vetëm një pikë, nuk ia ka dalë të rrezikojë kthimin në vend të parë të Feronikelit. KEK-u në Obiliq më parë i kishte nxjerrë telashe Feronikelit e së fundi edhe Prishtinës e Llapit, por të dielën bëri pak për të shmangur humbjen e thellë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)