Në dy sukseset historike të përfaqësueseve të Kosovës në hendboll vëllezërit Xhafolli kanë lënë gjurmët e tyre. Fillimisht të mërkurën, më 10 prill, Përfaqësuesja A shënoi fitoren e parë të saj në kualifikime për evropian apo botëror, duke fituar ndaj Izraelit në Prishtinë me shifrat 27:24.
Etrit Xhafolli u paraqit në atë takim. Prej 10 deri më 14 prill po në Prishtinë u zhvillua gara IHF Trophy Intercontinental, që u fitua nga Kosova U-21. Me atë sukses, Përfaqësuesja e juniorëve të Kosovës siguroi paraqitjen në Kampionatin Botëror të juniorëve që gjatë korrikut mbahet në Spanjë. Tek U-21 e Kosovës prej lojtarëve kryesorë ishte Albin Xhafolli.
Derisa Etrit Xhafolli (22-vjeçar) ka vite që vesh fanellën e Kosovës, Albini javën e kaluar për herë të parë luajti për Përfaqësuese. Vëllezërit Xhafolli janë me prejardhje nga Prishtina, por të rritur në Gjermani. E zhvillojnë karrierën në këtë vend, por në nivele shumë të ndryshme. Albin Xhafolli vlerësohet prej lojtarëve më premtues shqiptarë, ndërsa është pjesë e klubit me nam të Gjermanisë, Gummbersbach. 20-vjeçari ka regjistruar katër paraqitje në Bundesligë këtë edicion. Është i vetmi hendbollist shqiptar që luan në ligën superiore evropiane. Luan në pozitën e alos së djathtë, shkruan sot Koha Ditore.
“Unë luaj në HSG Diepholz/Barnstorf. Deri më tash kam luajtur në ligën e tretë e tash jam në Oberliga. Albini momentalisht luan në Gummbersbach, për ekipin e parë në ligën e parë”, ka njoftuar Etrit Xhafolli në një bisedë për gazetën. Edhe një djalë i axhës së Etritit e Albinit luan hendboll.
Madje përmes tij ka ardhur kontakti i parë i vëllezërve Xhafolli me Përfaqësuesen e Kosovën. Etriti, që te Kosova luan në rolin e bekut, ka treguar se deri më tash i ka 11 ndeshje me Përfaqësuesen A të Kosovës dhe dhjetë të tjera me atë U-21.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)