Sport

Feronikeli kundër KEK-ut, por udhëtime të vështira për Prishtinën e Llapin

Foto: Koha

Vëmendja më e madhe do të jetë të shtunën, ku dy skuadrat që kërkojnë titullin e kampionit, Prishtina dhe Llapi do të luajnë si mysafirë.

Prishtina, që po kalon formë shumë të mirë, do të jetë mysafire e Gjilanit.

Skuadra e Mirel Josës, do të udhëtojë për pikë të plota në mënyrë që të mbetet në garë për titull të kampionit, transmeton KTV.

Në anën tjetër, gjilanasit deri më tani, në pranverë, kanë vetëm një fitore dhe janë në kërkim të triumfit të parë me trajnerin Gentian Mezani.

Gjilani e Prishtina është një lloj klasike e futbollit kosovar, me dy ekipet që kanë zhvilluar 41 ndeshje zyrtare, por me gjilanasit që kanë realizuar vetëm tri fitore.

Herën e fundit kur fitoi Gjilani, ishte sezoni 2016-2017.

nga ajo kohë, Gjilani ka marrë vetëm një pikë dhe Prishtina ka fituar 5 ndeshje, përfshirë edhe dy duelet e këtij edicioni.

Nxehtë pritet të jetë edhe në “Bajram Aliu” të Skenderajt, ku Drenica e pret Llapin.

Drenicasit që çdoherë kanë qenë të rrezikshëm në shtëpi, vijnë pas barazimit me Dritën dhe një fitore eventuale do t’i largonte shumë nga zona e rrezikshme.

Pikë të plota do të kërkojë edhe Llapi i Tahir Batatinës, që ka hyrë në garë për titull dhe ka vetëm 2 pikë më pak se Feronikeli e Prishtina. Llapi është në kërkim të fitores së pestë radhazi me Batatinën në krye.

Drenica ka fituar duelin e parë të sezonit në Podujevë 1-0, or llapjanët kanë fituar ndeshjen e dytë në Skenderaj me rezultat 2:0.

Lideri aktual, Feronikeli, që ka pikë të barabarta me Prishtinën, do të luajë të dielën dhe është mysafir i skuadrës së fundit në renditje, KEK-ut.

Nikli do të kërkojë fitore në mënyrë që ta harrojë humbjen në shtëpi nga Ferizaj dhe në të njëjtën kohë të vazhdojë të mbetet në vendin e parë.

Të dielën do të luajë edhe Drita, e cila në shtëpi e pret Trepçën 89.

Java e 28-të do të mbyllet të hënën me dy derbi të skuadrave që kërkojnë mbijetesën.

Ferizaj i Bylbyl Sokolit, do të kërkojë fitoren e dytë radhazi në kampionat ndaj rivalit të drejtpërdrejt për mbijetesë Flamurtarit.

Ferizajasit e motivuar pas fitores së madhe ndaj Niklit, synojnë pikët e plota në shtëpi ndaj Flamurtarit, që në këtë përballje hyn pas fitores në shtëpi ndaj Lirisë.

Sfidë interesante të hënën, do të zhvillohet edhe në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Liria e drejtuar nga Erdogan Celina, do të kërkojë fitoren e parë ndaj Ballkanit që llogaritet favorit.

Në këtë ndeshje në krye të suharekasve, do të jetë trajneri kampion, Gani Sejdiu.