Sport

Hetemaj mund të kthehet te Brescia

Mesfushori Përparim Hetemaj mund të kthehet te Brescia pas tetë vjetësh, pasi do të largohet nga Chievo në fund të këtij edicioni, ka njoftuar të hënën sajti italian "Tuttomercatoweb".

Chievo edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në Serie B, kurse Brescia është favoritja kryesore për t'u kthyer në Serie A, pasi prin në kategorinë e dytë të Italisë.

Chievo zë vendin e fundit në Serie A me 11 pikë dhe qysh tash e ka të garantuar rënien në një kategori më poshtë.

Hetemaj 32-vjeçar ka luajtur te Brescia gjatë edicionit 2010/11 përpara se të transferohej te Chievo, më të cilin ekip ka kontratë deri në vitin 2020, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Hetemaj këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asistim në 26 paraqitje për Chievon në të gjitha garat. Hetemaj gjatë karrierës ka luajtur edhe te Twente, AEK-u, HJK Helsinki e Klubi 04. Ka edhe 49 paraqitje për Finlandën.