Sport

Transferimet e mëdha u përcollën me rënie edhe më të mëdha

Kosova pritej të përfitonte në mënyrë indirekte nga transferimi i Valon Berishës te Lazio. Lideri i mesfushës së Përfaqësueses realizoi lëvizje të karrierës verën e kaluar. Nga Salzburgu austriak kaloi për rreth 7.5 milionë euro te Lazio e Serie A të Italisë.

Kështu Kosovës iu shtua edhe një lojtar në top-ligat evropiane. Dhe me kalimin te Lazio pritjet ishin që niveli i Berishës do të rritej edhe më shumë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por nuk doli të jetë plotësisht ashtu. Edhe kalimi te Lazio nuk po del të jetë plotësisht i qëlluar për Berishën. Derisa edicionin e kaluar ishte prej lojtarëve me më së shumti paraqitje në të gjitha ligat evropiane, këtë edicion Berisha ka luajtur fare pak.

Jo se nuk ka cilësi për të përballuar konkurrencën e madhe për një pozitë në mesfushën e Lazios, por për shkak të lëndimeve që nuk po i ndahen. Dhe kalimi te Lazio i Berishës, për Kosovën po del të ketë qenë më shumë i dëmshëm se i dobishëm. Ai në shtator mungoi për shkak të telasheve muskulore ndaj Azerbajxhanit e Ishujve Faroe.

Po për probleme muskulore mungoi edhe në dy ndeshjet e marsit, në miqësoren ndaj Danimarkës dhe në ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2020” ndaj Bullgarisë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)