Sport

Në Mitrovicë luhet për t’i ikur barazhit

Descriptive Text

Trepça '89 e kërkon fitoren, derisa Ballkani do të mjaftohej me një barazim në ndeshjen që mund të vendosë shumë për fatin e dy ekipeve për t’i ikur “zonës së barazhit”.

Dueli Trepça '89 - Ballkani do ta hapë xhiron e 27-të të Ipko Superligës së Kosovës në futboll dhe do të zhvillohet të premten (sot) në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë (15:30), shkruan sot “Koha Ditore”.

Të dyja ekipet e konsiderojnë këtë përballje si të rëndësishme dhe nuk duan të mendojnë për humbjen. Si Trepça '89 ashtu edhe Ballkani me rezultat pozitiv do të bënin një hap para për t'i ikur zonës që nuk siguron mbetjen direkt në elitë.

Trepça '89 zë vendin e shtatë në tabelë me 32 pikë, sa i ka edhe Ballkani në pozitën e tetë. Kanë tri pikë më shumë se Flamurtari, përkatësisht shtatë më shumë se Ferizaj, ekipe që aktualisht janë në zonën e barazhit dhe nëse mbesin aty deri në fund të stinorit duhet të luajnë nga një ndeshje shtesë për të provuar të mbesin në elitë.

Trajneri i Trepçës '89, Sabit Osmani, të enjten për gazetën ka thënë se me fitore ndaj Ballkanit, ekipi i tij do të bënte një hap të rëndësishëm për t'i ikur ndeshjes së barazhit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)