Sport

Kosova mposht Taipein Kinez në hendboll

Juniorët e Kosovës në hendboll, e kanë nisur me fitore turneun kualifikues për Kampionatin Botëror, “IHF TROPHY Continental” që po zhvillohet në Prishtinë.

Kosovarët kanë triumfuar pa ndonjë problem të madh, ndaj Taipeit kinez, me rezultat 31:23, raporton KTV.

Që nga fillimi, hendbollistët e Kosovës ishin më të mirë dhe asnjëherë nuk e lejuan kundërshtarin që të kalojë në epërsi, pavarësisht lojës shumë të papërshtatshme të kinezëve.

Me kundërsulme të shpejta dhe mbrojtje të fortë, kosovarët filluan të shkëputen në rezultat dhe pjesën e parë e mbyllën në favor, 16:10.

Pjesën e dytë, hendbollistët e Kosovës e nisën furishëm dhe arritën që brenda 10 minutave të shtojnë epërsinë deri në plus 11 gola.

Epërsinë e krijuar, Kosova arriti ta ruajë deri në fund, përballë kinezëve të cilët edhe pse luanin një lojë më ndryshe nga stili evropian, nuk arritën që të befasonin Kosovën.

Me nga 7 gola, Drenit Tahir Uka dhe Jon Muqolli ishin më të mirët, ndërkaq u dalluan edhe Xhafolli e Shabani me nga 6, respektivisht 5 gola.

Ndeshjen e radhës, Kosova e luan të premten kundër Nigerisë.

{gallery}