Sport

Flet Panucci pas shkarkimit

Foto: Top Channel

Christian Panucci nuk është më trajner i Kombëtares shqiptare. Humbja 2-0 me Turqinë, në mbrëmjen e së premtes i kushtoi shumë trajnerit italian. 45-vjeçari largohet nga pankina kuqezi, pasi e drejtoi atë për thuajse dy vite.

Panucci është larguar me avionin e parë për në Romë, mëngjesin e së shtunës. Përpara nisjes, në një intervistë për Top Channel, Panucci zbardhi vendimin e presidentit Duka.

“Ishte një vendim i presidentit dhe unë e pranoj. Ka qenë një eksperiencë fantastike dhe falënderoj të gjithë Shqipërinë. Punova në qetësi të plotë falë presidentit Duka, por në fund rezultatet nuk ishin të mira dhe presidenti vendosi që të më largojë. Ishte diçka shumë e rëndësishme që të isha trajner i një kombëtareje, për këtë arsye i detyrohem të gjithëve një faleminderit”, tha Panucci për Top Channel.

Trajneri nga Roma e udhëhoqi kombëtaren shqiptare për 15 ndeshje, nga të cilat 9 humbje, 4 fitore dhe 2 barazime. Bilance të cilat kanë sjell herë pas here ofendime të tifozërisë ndaj trajnerit.

“Ka gjithmonë një fajtor dhe në këtë rast unë jam përgjegjës. Njerëzit kur humbet Shqipëria vuajnë, në fakt vuaj edhe unë. Gjithsesi kam shumë respekt për të gjithë shqiptarët. I kam falënderuar sot në mëngjes të gjithë lojtarët për gjithçka që më kanë dhënë deri në momentin e fundit. Uroj që të bëjnë gjëra të mira dhe do të jenë gjithmonë në zemrën time”, shtoi ish trajneri i kuqezinjve.

Në pyetjen nëse kjo skuadër ka shanse për të bërë më mirë dhe a ishte ky vendim i duhur, Panucci është përgjigjur: “E uroj këtë. Shpresoj që ky të jetë një vendim i drejtë, por vetëm koha do ta tregojë”.