Sport

Futbolli grek i rrënuar nga huliganët

Descriptive Text

Do të duhej të ishte një festë e futbollit. Në stadiumin olimpik të Athinës, gjigantët tradicionalë të Greqisë, Panathinaikosi dhe Olympicosi po përballeshin. Dhjetëra mijëra tifozë të pranishëm në tribuna po brohorisnim dhe po inkurajonin ekipet e tyre.

Por, papritmas trazirat filluan. Policia nis sulmet me gaz lotsjellës, derisa lojtarët dhe stafi përcjellës sulmohen përpara kamerave. Arbitri gjerman, Marco Fritz, i jep Panathinaikosit si ekip vendas një orë kohë për të kthyer situatën nën kontroll ose për të zbrazur stadiumin, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”. Pavarësisht se kalojnë një orë, asgjë nuk ndryshon në stadium dhe ndeshja përfundon më herët sesa që ishte parashikuar. Rezultati deri në ato momente ishte 1:0 në favor të Olympiacosit.

Kjo ndodhi të dielën e shkuar, ndërsa një ditë pas ndeshjes, Panathinaikosi u ankua se Fritz kishte vepruar shumë shpejt që ndërpreu ndeshjen.

“Arbitri gjerman i bëri favor Olympiacosit”, ishte komenti i gazetës sportive “Prasini” që ka lidhje të ngushta me Panathinaikosin. Ndërkohë, gazeta “Fos” që konsiderohet si zë i fuqishëm i Olympiacosit, u tregua më e mëshirshme ndaj arbitrit të huaj, duke shtuar se “Fritz me siguri se është tronditur nga ajo që përjetoi në derbin e madh dhe për faj të Panathinaikosit”.

Problemet në rrugë dhe në stadiume

Tifozët rivalë në Greqi gjithmonë kanë konflikte në rrugë, madje përfshirë këtu edhe ngjarjet e tjera sportive, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me futbollin. Kampionati i volejbollit në konkurrencën e femrave herë pas here mbetet nën hijen e trazirave që shkaktojnë tifozët nëpër ndeshje. Huliganët e futbollit në përgjithësi çmenden kur është në pyetje dueli i rivalëve kryesorë dhe më të mëdhenj - Panathinaikos e Olympiacos - ndërsa edhe përkrahësit e klubeve me traditë ai AEK e PAOK kohët e fundit po parapëlqejnë të bëhen të përafërt me kundërshtarët e tyre, të dhunshëm.

“Situata këtë edicion jo vetëm në futboll, por në përgjithësi në sportin e Greqisë është alarmante për shkak të tifozëve të futbollit, të cilët në realitet janë shndërruar në huliganë të vërtetë. Ata nuk po shkojnë në ndeshje të përkrahin ekipet, por të qërojnë hesapet mes vete dhe kjo është shumë shqetësuese”, ka thënë Manos Staramopoulos, ekspert i futbollit.

Ai sheh shumë arsye për dhunën nëpër stadiumet e futbollit, e cila po përshkallëzon gradualisht edhe nëpër sportet e tjera.

Ligji “Orfanos”

Faji kryesor është se dënimet janë të paefektshme ose janë shndërruar në trillime. Sipas ekspertit Staramopoulos, pikërisht kjo situatë ka ngatërruar plotësisht situatën ligjore. Në vitin 2006, ministri i atëhershëm i Sportit në Greqi dhe ish-futbollisti, Jorgos Orfanos, prezantoi një ligj shumë të rreptë. Ai i mundësoi policisë që të arrestonte tifozët e dhunshëm dhe t'i dërgonte në paraburgim, disa ditë para ndonjë ndeshjeje të rëndësishme që e luante ekipi i tyre, përcjell Koha Ditore. Në këtë mënyrë, Orfanos shpresonte që t'i evitonte problemet nëpër stadiume, duke larguar tifozët e dhunshëm. Ky ligj shihej si një pengesë e madhe për huliganët.

“Të ishte ende në fuqi ligji i Orfanos, me siguri se nuk do t'i kishim përjetuar këto probleme. Secili huligan frikësohej para ndonjë ndeshjeje derbi nga arrestimi prej policisë. Por, ky ligj nuk zgjati shumë”, thotë Staramopoulos.

Mirëpo, pas riorganizimit të Qeverisë së Greqisë, pasardhësi i Orfanos në Ministrinë e Sportit e shfuqizoi ligjin që kishte të bënte ekskluzivisht me huliganët. Ministri aktual Jorgos Vassiliadis dëshiron ta kthejë ligjin për të shpëtuar sportin nga dhuna dhe huliganët.

“Vetëm ky ligj mund ta qetësojë situatën dhe shpresoj që ministri t'ia dalë mbanë ta rikthejë në fuqi”, shprehet Staramopoulos.

Sa ka faj policia?

Unioni i policisë në Greqi (POASY) shpjegoi se zyrtarët e këtij institucioni, në fakt nuk kanë të bëjnë me futbollin.

“Klubet profesionale janë kompani private dhe duhet të organizojnë personelin e tyre për këto çështje pasi duhet të paguajnë policinë për siguri më të mirë”, është shprehur kreu i POASY-t, Grigoros Gerakarakos.

Sipas Gerakarakos, oficerët nuk duhet të shpërqendrohen nga puna e tyre normale dhe nuk janë të vlefshëm për qytetarët vetëm për shkak se po ndihmojnë kompanitë private që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore. Zyrtarët policorë janë të pranishëm nëpër stadiume, megjithatë dhuna dhe trazirat po vazhdojnë ende. Gerakarakos refuzon të pranojë se policia ka dështuar në këtë aspekt.

“Klubet e futbollit shpesh ia vënë fajin policisë në mënyrë që t'i ikin përgjegjësisë që kanë. Në të vërtetë, kur policia vepron, atëherë klubet janë fajtore sepse nuk janë përgatitur me kohë. Policia nuk mund t'i mbulojë dështimet e tyre”, insistoi ai.

Gerakarakos dyshon se interesat private dhe vendimmarrja politike mund të ndërthuren dhe të arrijnë ta ndalin dhunën.