Sport

Shkencëtarët insistojnë se Messi mund të klonohet

Shkencëtarët gjenetik besojnë se mund të klonojnë Lionel Messin në të ardhmen, duke përdorur praktikat e tanishme shkencore. Messi ka kaluar gjithë karrierën te Barcelona, duke u shndërruar në njërin prej lojtarëve më të mirë në botë. Ai me fanellën e Barcelonës ka shënuar 591 gola në 674 paraqitje në të gjitha garat.

Dhe, përderisa karriera aktive e 31-vjeçarit po shkon drejt përfundimit, kohët e fundit janë ngritur shumë pyetje. Ajo që po iu intereson të gjithëve është se a do të shohë ndonjëherë bota e futbollit një tjetër lojtar të cilësisë së Messit.

Shkencëtarët besojnë se mund të klonojnë yllin e Barcelonës për të bërë një version tjetër të tij, nëse adhuruesit, por edhe klubi e sulmuesi argjentinas e dëshirojnë një gjë të tillë, shkruan “Goal.com”, transmeton “Koha Ditore”. Sipas Arcadi Navarros, specialist gjenetik, klonimi i Messit është më se i mundur. Ai thotë se kjo do të bëhet duke përdorur teknikat që tashmë ekzistojnë.

“Po, Messi përfundimisht mund të klonohet nëpërmjet teknikave aktuale të klonimit. Kloni i tij do të jetë i ngjashëm me Messin sa u përket paraqitjeve, por edhe në pamje do të duket si binjak i tij. Do të jetë ngjashëm sikurse prindërit e tij kanë lindur binjak, por që njërin e kemi ngrirë për 20 apo 30 vjet”, thotë Navarro.

“Ky individ apo kloni do të kishte potencial të njëjtë si Messi. Gjenetika është vetëm një komponentë derisa të tjerat janë edukative dhe mjedisore. Messi nuk është vetëm Messi për shkak të gjenetikës së tij, por për shkak të gjërave që i ka përjetuar, siç është edukimi, koha e kaluar në La Masia, stërvitjet. Gjenet na japin vetëm potencial derisa ne duhet të përfundojmë punën tjetër”, shtoi ai.

Messi shkëlqimin e tij në fushë po e vazhdon edhe këtë edicion, pasi ka shënuar 39 gola në të gjitha garat, dhe po e udhëheq Barcelonën drejt titullit të kampionit në La Liga. Për Messin ky do të ishte titulli i dhjetë në Spanjë. Gjithashtu, po synon këtë edicion edhe trofeun e pestë të Ligës së Kampionëve, pasi Barcelona është kualifikuar në çerekfinale ku do të përballet me Manchester Unitedin.

“Ne si shkencëtarë jemi të gatshëm për ta klonuar Messin, por vetëm duhet të marrim lejen si nga ai, ashtu edhe klubi i tij. Do të ishte mirë që sërish pas disa vjetësh të shohim një Messi të ri, i cili do të vazhdonte shkëlqimin në fushë”, ka shtuar Navarro.

Messi në vitin 2000 u është bashkuar të rinjve të Barcelonës, kurse me ekipin e parë ka debutuar në vitin 2005. Me Barcelonën ka fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh dhe numëron hiç më pak se 32 trofe. Ai ka kontratë me ekipin spanjoll deri në verën e vitit 2021, të cilën shumë shpejt pritet ta rinovojë në mënyrë që ta mbyllë karrierën si lojtar në “Camp Nou”.