Sport

Rama krenar që hapi rrugën për kosovarët te Zvicra

Milaim Rama thotë se ai ua tregoi rrugën futbollistëve nga Kosova, Valon Behramit, Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, për te Përfaqësuesja e Zvicrës.

Kur e thotë këtë, Rama merr për bazë faktin se ishte kosovari i parë te Zvicra, shkruan të premten gazeta zvicerane “Blick”. Rama regjistroi shtatë paraqitje me fanellën e Zvicrës në vitet 2003 e 2004, kurse mori pjesë edhe në “Euro 2004” të mbajtur në Portugali, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Mund të them që unë isha ai që ua tregova rrugën kosovarëve te Zvicra, pasi isha i pari. Pas meje erdhi Behrami dhe pastaj djelmoshat e tjerë si Shaqiri e Xhaka”, ka thënë Rama 43-vjeçar, duke shtuar se me këtë edhe është realizuar ëndrra e të gjithë këtyre lojtarëve.

Ai pranon se asnjëherë nuk ka menduar se do të jetë reprezentues i Zvicrës, duke pasur parasysh se pjesën më të madhe të rinisë e ka kaluar në Kosovë, ku edhe ka lindur. Rama ende kujton momentin kur kishte marrë ftesën nga Zvicra.

“Kurrë në jetën time nuk kam menduar se do të luaj për Zvicrën, kjo për shkak se rininë e kam kaluar në Kosovë dhe atje kemi luajtur nëpër rrugë. Kur erdha në Zvicër fillova të luaja tek ekipi Interlaken në kategorinë e pestë”, kujton Rama. “Pas kësaj gjërat lëvizën shumë shpejt dhe gjithçka dukej një mrekulli. Erdhi oferta e Thunit dhe pastaj edhe ajo për ta përfaqësuar Zvicrën”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)