Një Lionel Messi nuk është i mjaftueshëm për të lënë pa gjumë mbrojtësit, por sipas një shkencëtari "klonimi" i tij do të sillte të ardhura dhe avantazhe më të mëdha për botën e futbollit.
Lajmi është pohuar nga shefi i Arkivit të Gjeneve Europiane, Arcadi Navarro, që deklaroi se teknologjia e tanishme do të lejonte një kopje të magjistarit të futbollit.
"Po, ne mund të klonojmë Messin. Me teknikat e tanishme ne do të bëjmë diçka shumë të ngjashme me të. Do të ishte sikur të kishin lindur dy binjakë dhe njëri të ishte ngrirë rreth 20 apo 30 vjet më parë," tha fillimisht ai, transmeton Ora News.
Megjithatë, Navarro nuk premton se personi tjetër, i klonuar nga Messi nuk do të zotëronte të njëjtat cilësi si "pleshti" argjentinas.
"Kloni do të kishte të njëjtin potencial, por cilësitë e tij kanë një komponent gjenetik, si dhe të tjera që bazohen në edukimin dhe mjedisin ku është rritur. Messi nuk është ky që është vetëm për shkak të gjenetikës, por edhe për gjithçka që ai ka përjetuar, arsimimin e tij, punën e tij në "La Masia" dhe trajtimin që ai ka marrë. Gjenetika na jep potencialin, atëherë është detyra jonë ta përfundojmë atë. " -shtoi Navarro.
Messi u transferua në Spanjë në moshën 13 vjeçare për t'u bashkuar me skuadrën e të rinjve të Barcelonës, duke arritur të bëhet golashënuesi më i mirë i klubit, me mbi 500 gola.