Sport

Challandes: Nëse mposhtim Danimarkën rezultat i shkëlqyeshëm, nëse humbim marrim mësim

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur konferencë për media një ditë para miqësores me Danimarkën, ku ka thënë se fitorja ose barazimi do të ishin rezultate të shkëlqyera, në të kundërtën do të merrej mësim.

Challandes foli për rëndësinë që ka ndeshja me Danimarkën, e cila, sipas tij, do të shërbejë si test për ndeshjet e tjera.

Ndeshjet e forta, sipas tij, shërbejnë si parapërgatitje për ndeshjet e tjera, si ajo me Republikën Çeke, Malin e Zi dhe Anglinë.

“Dikush do të mendojë se nuk është ndoshta e udhës që të luajmë kundër një skuadre kaq të fortë, mu para Bullgarisë, sepse mendojnë se janë shumë të fortë për neve. Por, dua të them që duhet të shfrytëzojmë rastin. Ne ndoshta nuk do të kemi mundësinë të mbajmë topin shumë, ndoshta kemi mundësi edhe të humbim por, gjithsesi edhe kjo do të na ndihmojë neve që të zhvillohem. Kisha thënë nëse fitojmë shkëlqyeshëm, nëse nxjerrim barazim prapë është shkëlqyeshëm, ndërsa nëse humbim, mësojmë diçka të re”, tha Challandes, raporton KP.

Ai përsëriti se është më mirë të luajnë me një ekip më të vështirë në vend sesa jashtë vendit.

Mbrojtësi Amir Rrahmani tha se në mbrojtje nuk do të ketë mungesë, pasi, sipas tij, kanë gjithmonë zëvendësimin për atë që nuk luan. Sipas tij, nuk ka ndjenjë më të veçantë për një futbollist sesa të përfaqësojë vendin e tij.

“Danimarka ka ekip shumë të mirë, e 10 në rang botëror. Kështu që është një ndeshje nga ato ndeshje që kemi luajtur në Ligën e Kombeve. Ka ngjashmëri me ato ndeshje që kemi luajtur në kualifikime për botëror. Do të thotë, barra nuk bie vetëm mbi mbrojtjen, është keq edhe për ekipin dhe këtë test duhet ta kalojmë të gjithë së bashku. Nuk është vetëm puna e mbrojtjes apo individëve, kështu që do ta kalojmë këtë test bashkë si ekip”, ka thënë ai.

Ndeshja miqësore Kosovë – Danimarkë zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ora 19:00.