Sport

Athing Mu, 16-vjeçarja që po impresionon në atletikë

Në moshën 16-vjeçare, Athing Mu tashmë është rekordmene amerikane.

Në Kampionatin e Amerikës në Palestër, muajin e kaluar ajo fitoi titullin në 600 metra vrapim me kohë 1:23.57 minuta.

Kjo disiplinë mund të mos jetë në Lojërat Olimpike apo në Kampionat Botëror, kështu që organizohet rrallë, por koha e Mu’s është një rekord amerikan në palestër dhe koha e dytë më e shpejtë në histori të garave në palestër, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Thuhet se me atë ritëm Mu do të vraponte 800-metërshin me kohë 1:57 minuta dhe potencialisht do të fitonte një medalje.

Ndihmës-trajnerja e saj Bernice Mitchell nuk është e befasuar.

“Unë i kam thënë asaj se është e jashtëzakonshme që kur ishte gjashtëvjeçare dhe njerëzit po më thoshin se jam çmendur”, rrëfen Bernice.

Athing Mu që është nga New Jersey po ëndërron për sukses olimpik.

Mu është e dyta më e reja nga shtatë fëmijë në një familje me prejardhje sudaneze.

Si fëmijë ajo ka parë vëllezërit e saj në klubin “Trenton Track” dhe shpejt nisi të vraponte edhe vetë.

“Të gjithë vëllezërit e motrat kanë vrapuar. Më i vjetri, ai është 26-vjeçar dhe ai nisi me vrapime. Kur ai filloi të garonte për “Trenton Track Club”, ai më merrte me vete dhe unë vrapoja rreth shtegut. Kam qenë me ta që nga atëherë”, rrëfen 16-vjeçarja.

Mu është nxënëse në shkollën “Trenton Central”, por nuk vrapon për skuadrën e atletikës të kësaj shkolle.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)