Stinori pranveror në elitën e futbollit kosovar, ka filluar të nxehet ende pa nisur mirë.
Pas fitores ndaj Prishtinës, klubi i Llapit, e ka akuzuar rëndë Federatën e futbollit të Kosovës në krye me Agim Ademin se po e ndihmojnë ekipin nga kryeqyteti.
Llapjanët pretendojnë se FFK-ja ia ka dhënë Prishtinës 38 mijë euro, vetëm një natë para derbit ndaj Llapit. Akuzat, klubin nga Podujeva i ka bërë përmes faqes zyrtare në “Facebook”.
Ndërkohë, për Sportin në KTV, drejtori sportiv, Tahir Batatina, ka deklaruar se qëndrojnë pas asaj që e kanë thënë.
“Ne qëndrojmë pas asaj që e kemi shkruar se 38 mijë euro janë derdhur në xhirollogarinë e Prishtinës nga FFK-ja. Kjo nuk është në rregull, pavarësisht se për çka është paguar ajo shumë, pasi ka ndodhur vetëm një ditë para ndeshjes kundër Llapit. Ne kemi informacione se të premten është kryer pagesa dhe nuk është as legjitime, që të ndodhë pikërisht para një ndeshje shumë të rëndësishme. Nëse nuk është bërë pagesa të premten dhe nëse del raporti i bankës se nuk është bërë asnjë pagesë, ne mund të kërkojmë falje, por kemi informacione shumë të sakta se ajo ka ndodhur”, ka thënë Batatina.
Në anën tjetër, me akuzat e Llapit, është befasuar Federata e futbollit e Kosovës, e cila me anë të një komunikate për media, ka kërkuar nga kryesia e llapjanëve, që të distancohet nga ajo që kanë shkruar.
FFK-ja nuk e ka sqaruar nëse ia ka paguar Prishtinës shumën që pretendon Llapi, por ka shkruar se ndihma ndaj klubeve vjen nga mjetet që sigurohen nga të drejtat televizive dhe marrëveshja me IPKO-n.
“FFK–ja gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë e njëjtë dhe e drejtë për të gjitha klubet dhe do t’i ndihmojë ato njësoj e në mënyrë të barabartë për aq mundësi sa ka dhe aq mjete sa u takojnë nga kontrata e sponsorizimit me IPKO-n dhe nga të drejtat televizive, por asnjëherë nuk do të privilegjoj asnjë klub dhe kurrë nuk do të ketë ndihma apo premi dhe para që nuk u takojnë. Shuma që përmendet në tekstin e FC Llapi është e pakuptimtë, tendencioze dhe qëllimkeqe. Deklarata e FC Llapi është tejet e ulët dhe shpifëse, por fatkeqësisht ky është niveli në të cilin gjendemi. Federata nuk është për të bërë pazare, por për të organizuar gara dhe për të pasur drejtësi për të gjitha klubet” thuhet ndër të tjera në reagimin e shtëpisë së futbollit kosovar.
Reagim edhe më të ashpër në drejtim të Agim Ademit, ka bërë Feronikeli, skuadër që i prin renditjes me 5 pikë më shumë se Prishtina.
“Ademi shihet se e dëshironte shumë fitoren e Prishtinës, pasi që ky çmim, nuk është aspak i vogël. Shtrohet pyetja zotëri, Ademi, si mund të ja dalim ne si klub edhe kundër juve? Apo mos dëshironi që Feronikeli të luftojë i vetëm, kundër të gjithëve? Apo mos keni ambicie, që klubin më profesional që keni në Superligë, ta fundosni me marrëveshje ‘pas shpine’?, thuhet në reagimin e Feronikelit.
“Nikli” ka shkruar edhe më lartë, duke shkruar se 38 mijë euro, Prishtinës do t’i shërbenin për t’i motivuar lojtarët e KEK-ut në duel me Feronikelin, gjë e sipas tyre nuk pati sukses.
Përveç ankesave në ndarje të drejtësisë, klubi nga Drenasi, e ka pyetur Agim Ademin se mos është duke e kthyer Federatën e futbollit të Kosovës në Federatën e futbollit të Prishtinës.
Lidhur me këto akuza të rënda e ku e përfshirë është Prishtina për Sportin në KTV, ka folur nënkryetari i klubit, Afrim Muçiqi, i cili i ka mohuar të gjitha akuzat e Llapit në drejtim të klubit më të trofeshëm në Kosovë.
Prishtina, ka reaguar edhe me anë të një komunikate, ku i ka quajtur të pavërteta akuzat e Llapit e Feronikelit, ndërsa këtë të fundit, sipas “bardhekaltërve”, e ka shpëtuar nga shuarja pikërisht FFK-ja. Ndër të tjera, Prishtina ankohet në ndarjen e drejtësisë ku pretendon se janë dëmtuar në disa ndeshje. Ndërkaq, sa u përket parave, e pranon se edhe në kohën e Fadil Vokrrit kanë marrë para nga të drejtat televizive.
Prishtina dhe Feronikeli do të takohen të mërkurën në kuadër të javës së 21-të, ku pritet të zhvillohet një duel interesant.