Sport

Kepa sqarohet për incidentin në finale të Kupës EFL

Foto: Reuters

Portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga, ka sqaruar përplasjen që pati me trajnerin Maurizio Sarri në finalen e EFL Kupës ndaj Manchester Cityt.

Kepa refuzoi të largohej nga ndeshja për t’i liruar vend rezervistit Willy Caballero pak minuta para se takimi të hynte në penalti, pasi kishin kaluar afro 120 minuta lojë. Kjo shkaktoi incident që nuk shihet shpesh nëpër arena të tilla, me Sarrin që u shfaq shumë i nervozuar. Kepa mbeti në portë, por nuk arriti të shpëtonte skuadrën nga humbja.

Portieri ka thënë, njëjtë si Sarri, se ishte një keqkuptim, transmeton Koha.net.

Kepa refuzon të largohet nga fusha, përplaset me Sarrin

“Fillimisht më duhet të them se ishte një keqkuptim. Në asnjë moment s’ishte qëllimi im që të mos i bindesha urdhrit të trajnerit, apo diçka të tillë. Ishte vetëm një keqkuptim, sepse dy herë pata kontrolle nga mjekët sot, dhe ai mendonte se s’isha në gjendje të vazhdoja. Ishin dy-tre minuta konfuze deri sa mjekët shkuan në bankinë dhe i shpjeguan gjithçka. Ishte keqkuptim sepse ai mendonte se s’mund të vazhdoja dhe unë përpiqesha t’i thosha se fizikisht jam mirë. E di se kur e shihni nga jashtë, nuk e di si doli, por s’ishte imazhi më i mirë. Kam folur me trajnerin. Mendoj se ishte keqkuptim. E kuptoj se në televizion, rrjete sociale, po flitet për këtë, por jam këtu ta shpjegoj e të them se nuk ishte qëllimi im të dal kundër trajnerit. Kemi folur dhe vetëm po përpiqesha t’i thosha se jam mirë”, ka thënë Kepa për faqen zyrtare të Chelseat.