Sport

50 “hat-tricke” te Barça, statistikat prapa formës së jashtëzakonshme të Messit

Foto: Reuters

Lionel Messi sot tregoi se fundi i kohës së tij në futboll ende është shumë larg.

Ylli i Barcelonës është duke kaluar në një formë të jashtëzakonshme këtë sezon, derisa sot shënoi “hat-trickun” e tij të 50-të në fanellën e Barcelonës për t’ia dhënë pikët e plota në derbin ndaj Sevillës, shkruan BBC.

E Sevilla duket se është “viktima” e tij e preferuar, pasi shënoi golin e tij të 36 në 35 paraqitje kundër këtij ekipi, transmeton Koha.net.

Por, në moshën 31 vjeçare Messi duket se nuk e ka ndërmend që të ndalet, derisa është në kërkim të topit të gjashtë të Artë.

Tripleta e sotme e çoi atë në kuotën e 25 golave në La Liga këtë sezon, mesatarisht një gol në çdo 75 minuta. Ai ka nëntë gola më tepër se bashkëlojtari i tij Luis Suarez, e dyfish më shumë se golashënuesi më i mirë në skuadrat e tjera, Cristhian Stuani i Gironas që si i treti ka 13 gola.

Në të gjitha garat ai ka shënuar 33 gola në 32 ndeshje, përfshirë gjashtë në Ligën e Kampionëve duke e udhëhequr Barcelonën drejt tripletës.

Goli i tij i tretë sot ishte i 650 në karrierë, 585 për Barcelonën dhe 65 për Argjentinën.