Sport

Guardiola mund t'i besojë Muriqit edhe për finale ndaj Chelseat

Foto: Reuters

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk e ka konfirmuar portierin Arijanet Muriq për finalen e EFL Cup kundër Chelseat. Por tekniku spanjoll në konferencën e së premtes ka shtuar se gjasat janë të mira që reprezentuesi i Kosovës të jetë titullar në këtë përballje që zhvillohet në "Wembley Stadium" të dielën (17:30), kanë njoftuar mediumet angleze.

Muriq, 20-vjeçar, ka qenë titullar te skuadra e Cityt në secilën ndeshje të kësaj gare dhe në të gjitha, pesë ndeshjet deri më tash, ka treguar paraqitje të mira.

Madje Muriq ishte hero i Cityt për kualifikim në gjysmëfinale kur në ndeshjen çerekfinale ndaj Leicesterit të zhvilluar në dhjetor ishte fantastik në pritjen e dy penalltive.

Falë pritjeve të tij, City arriti të avanconte tutje dhe Guardiola ka thënë se jo vetëm këtë, por të gjitha paraqitjet e Muriqit do t'i marrë parasysh kur të vendosë për formacionin ndaj Chelseat.

"Do të shohim, pasi ende është herët të flasim për një gjë të tillë. Do të mendoj për këtë, pasi Aro ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne gjatë këtij rrugëtimi deri në finale. Sidomos në penallti ndaj Leicesterit ishte i jashtëzakonshëm, ndonëse edhe në ndeshjet tjera ishte i mirë", është shprehur Guardiola.

"Kam besim tek Aro dhe për këtë arsye ai këtë edicion është portieri i dytë i Cityt. Ka gjasa që Aro të jetë titullar, por nuk do të nxitojë me vendim deri në momentin e fundit, pasi kjo finale nuk do të jetë e lehtë".(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).