Duke përfituar nga një lëshim i Prishtinës, Feronikeli javën e kaluar u ngrit në vendin e parë në tabelë. Me fitore në fundjavë, skuadra nga Drenasi do të vazhdonte të mbetej e para e po ashtu do të linte goxha mbrapa një rival tjetër për titull, Llapin.
Feronikeli të dielën takohet me Llapin, në derbin e xhiros së 19-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja luhet në stadiumin "Rexhep Rexhepi" në Drenas (13:00). Feronikeli prinë në tabelë me 42 pikë, ndërsa Llapi është i treti me 38 pikë. Mes tyre qëndron Prishtina me 40 pikë, shkruan sot Koha Ditore.
Në hapje të stinorit pranveror, fundjavën e kaluar, Feronikeli fitoi 2:0 ndaj Lirisë në Prizren. Llapi fitoi 3:0 ndaj KEK-ut në Obiliq, ndërsa Prishtina humbi 2:0 nga Flamurtari. Mes Feronikelit, Prishtinës e Llapit po zhvillohet gara për titull. Dhe një përballje direkte mes dy skuadrave pretendente vlerësohet me peshë shumë të madhe.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).