Sport

Dënime të mëdha nga FFK-ja për futbollistët e Superligës

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Federata e Futbollit e Kosovës në faqen zyrtare ka bërë të ditur për dënimet që u janë dhënë disa futbollistëve në javën e parë të stinorit pranveror.

Ansi Nika, futbollist i Gjilanit, e ka pësuar më së shumti pasi do të ketë ndalesë loje për katër ndeshje zyrtare, për goditjen me kokë të lojtarit kundërshtar në derbin kundër Dritës në fundin e ndeshjes, me ç’rast u ndëshkua me karton të kuq.

Nuk ka shpëtuar as mbrojtësi i Dritës, Fidan Gërbeshi, i cili gjithnjë sipas FFK-së, u ndëshkua me karton të kuq për shkak të fyerjeve drejtuar lojtarëve kundërshtar dhe do të mungojë në tri ndeshjet e radhës.

Për shkak të goditjes me bërryl të lojtarit kundërshtar, me dy ndeshje moslojë është dënuar edhe futbollisti i KEK-ut, Torviol Stullqaku.

E, në dy ndeshjet e radhës për Flamurtarin nuk do të jetë mbrojtësi Bennas Qaunsha, që u ndëshkua me të kuq, nga starti i palejuar si lojtari i fundit.

Palët e pakënaqura me këto vendime kanë të drejtë ankese në Komisionin Disiplinor të shkallës së dytë në afat kohor prej tetë ditësh.