Sport

Vonn e mbyll karrierën me një të bronztë në Botëror

Foto: Reuters

Trupi i Lindsey Vonnit mund t'i ketë thënë asaj se koha është që të largohet nga skijimi alpin, mirëpo skitarja amerikane thotë se zemra e saj ia ka fituar medaljen e fundit të karrierës, të dielën. Vonn fitoi medaljen e bronztë në disiplinën e lëshimit në Botërorin që po mbahet në Are të Suedisë.

Vonn, 34-vjeçare, skitarja më e mirë e të gjitha kohërave, ka njoftuar disa ditë më parë se do të largohet nga sporti i skijimit alpin pas garës të së dielës dhe ajo të dielën dha çdo gjë nga vetja për t'i dhënë tifozërisë diçka për ta mbajtur në mend.

“Ishte një ditë shumë emocionale për mua. Ishte e vështirë të kontrolloja emocionet”, tha Vonn pas garës, ku përfundoi e treta, prapa sllovenes Ilka Stuhec, që doli e artë dhe zviceranes Corinne Suter që mori të argjendtën, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. “Definitivisht kurrë në karrierë nuk kam qenë më nervoze para një gare dhe çdo gjë që doja të bëja ishte të përfundoja mirë dhe të kisha një fund të karrierës që kam ëndërruar”.

Pos medaljes, kulm për Vonnin ishte që u prit në vijën e finishit nga legjenda suedeze e skijimit Ingemar Stenmark, që ia dhuroi asaj një buqetë me lule. Vonn nuk ka arritur të thyejë rekordin prej 86 fitoreve në Kupën e Botës në skijim alpin që ende e mban Stenmark.

“Ai është njeri që nuk flet shumë, por më tha se kam skijuar mrekullueshëm dhe këto janë fjalë të veçanta kur vijnë nga ai”, thotë Vonn.

Në konferencë për media të martën, Vonn ishte zemëruar me sugjerimin e gazetarëve se ajo nuk ka gjasa të fitojë garën e fundit. Por performanca impresive e kishte dërguar fillimisht në epërsi në garën e së dielës, para se të kalohej nga Stuhec dhe Suter, duke e lënë të kënaqet me të bronztën.

“Është si medalje ari për mua, askush nuk mund të ma marrë, kam skijuar me gjithë zemrën. Unë e kam trupin e shkatërruar nga lëndimet, por kam skijuar me gjithë zemrën sot dhe ajo dëshirë e madhe më ka siguruar medaljen”, thotë Vonn.

Shpresat e saj për një stinor përshëndetës të madh janë goditur nga problemet me lëndime, përfshirë një të gjurit.

“Ky stinor nuk ka shkuar siç kam dashur, por jam falënderuese që kam pasur një lëshim të madh sot dhe kam arritur në podium me medaljen time të fundit në karrierë”, ka thënë Vonn.

Ajo është bërë skitarja e parë që ka fituar medalje në gjashtë kampionate botërore, ndërsa mbetet femra më e suksesshme me 82 fitore në Kupën e Botës të skijimit alpin.