Sport

Barcelona po mendon për funksionimin pas pensionimit të Messit

Foto: Reuters

Presidenti i klubit të futbollit Barcelona, Josep Maria Bartomeu, ka thënë se transferimet e fundit janë sinjal se po bëhen gati për funksionim pas epokës së Lionel Messit.

Barça muajin e shkuar e transferoi mesfushorin 21-vjeçar Frenkie de Jong nga Ajaxi, ndërsa tani ka nisur të mendojë për kohën kur do të mbesë pa një nga lojtarët më të mirë të historisë.

Messi, 31-vjeçar, ka realizuar 581 gola për Barcelonën në 664 paraqitje.

“E di se një ditë Messi do të pensionohet”, ka thënë Bartomeu, raporton BBC.

Messi ka edhe dy vjet në kontratë me Barcelonën, teksa Bartomeu ka thënë se “ka kohë për pensionim të tij”.

Megjithatë, 25-herë kampioni i La Ligas po synon të tranferojë lojtarë që nuk do të ndalin sukseset, transmeton Koha.net.

“Duhet të bëhemi gati për të ardhmen e klubit. Po sjellim lojtarë të rinj të mrekullueshëm, sepse duhet të vazhdojmë epokën e suksesit. Kjo është përgjegjësia jonë. Mandati im përfundon për dy sezone. Andaj më duhet ta lë klubin në pozitë më të mirë dhe t’i them presidentit të ri ‘kjo është trashëgimia jonë’”, ka shtuar ai.

Messi me Barçën ka fituar nëntë tituj të La Ligës, katër tituj të Ligës së Kampionëve dhe gjashtë Kupa të Mbretit.