Sport

Adhurimi i aktorit Bruce Lee “çon” Dembelen në Kinë

Descriptive Text

Mesfushori belg Mousa Dembele u largua nga Tottenhami dhe refuzoi ofertat nga Bayerni e Interi për t'u transferuar në Lindjen e Largët vetëm për shkak të ikonës së kung-fusë, Bruce Lee. Dembele insiston se ishin filmat e Bruce Lees që kanë ndikuar të pranojë ofertën e ekipit Guangzhou R&F.

31-vjeçari ka zbuluar se gjithmonë i ka shikuar dhe vazhdon t'i shikojë filmat e Bruce Lees, të cilin e ka idhull prej fëmijërisë. Ai të premten është prezantuar te skuadra e re.

"Kam qenë dhe mbetem adhuruesi më i madh i filmave me artet parciale, në të cilët ka luajtur Bruce Lee. Filmat e tij kanë bërë që ta pranoj transferimin në Kinë", është shprehur Dembele, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë për të marrë mësime edhe në artet marciale. "Pse jo? Do të interesohem për këtë kulturë edhe pse primar do të jetë futbolli".

Ai me ekipin kinez ka firmosur kontratë deri në fund të vitit 2021, me pagë vjetore prej gjashtë milionë eurosh. Prej shitjes së tij, Tottenhami ka përfituar 12.5 milionë euro dëmshpërblim. Me skuadrën londineze kishte kontratë deri në muajin qershor.

"Si me erdhi oferta nga Kina nuk hezitova, menjëherë gjërat u lidhën me artet marciale. Gjithashtu, doja të provoja një aventurë të re. Kisha oferta të shumta nga Evropa, por filmat e aktorit Bruce Lee më bënë ta zgjedh Guangzhoun", u shpreh Dembele. "Natyrisht, më duhet të pranoj që edhe paga ishte joshëse. Shpresoj të shijoj suksese me ekipin e ri, i cili vjen nga vendi ku artet marciale kanë një traditë të lashtë".(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).