Sport

Mehmedi mund ta përfundojë karrierën te Wolfsburgu

Sulmuesi Admir Mehmedi mund të qëndrojë gjatë te skuadra gjermane, Wolfsburg.

Ai në një intervistë të gjatë dhënë gazetës gjermane "Bild", ka theksuar se është i kënaqur te Wolfsburgu.

“Momentet që po i kaloj këtu në Wolfsburg, do t'i ëndërronte çdo futbollist. Këtu kam gjithçka. Për mua si një njeri familjar, qyteti është i përsosur. Mund të qëndroj në Wolfsburg dhe më vonë të punoj edhe me të rinjtë e këtij klubi. Zvicra nuk është opsion për vazhdimin e karrierës. Në fund të karrierës, Amerika do të ishte opsion ideal. Por ka mundësi që ta përfundoj karrierën në Wolfsburg”, ka thënë Mehmedi të hënën.

27-vjeçari me Wolfsburgun ka kontratë deri në qershor të vitit 2022.

Te skuadra e Bundesligës u transferua në janar të vitit të kaluar nga skuadra tjetër gjermane Bayer Leverkusen. Në Gjermani ka luajtur edhe për Freiburgun. Karrierë ka bërë edhe në Ukrainë te Dynamo Kiev dhe në Zvicër te Zuerichu.

Këtë edicion ka shënuar tre gola dhe ka kontribuar me tri asistime në 11 paraqitje.

Ai shpreson të vazhdojë me paraqitje të mira edhe gjatë këtij viti.

“Dua të vazhdoj me këtë ritëm. Deri tash ia kam dal. Unë kam potencial të jem edhe më efektiv dhe të shënoj më shumë gola. Kam përmirësuar shumë gjëra gjatë këtij edicioni dhe po më përshtatet roli i lojtarit të lirë në fushë”, është shprehur Mehmedi.