Sport

Familja e Schumacherit del me deklaratë të rrallë

Familja e kampionit të shtatëfishtë të Formula 1, Michael Schumacher, ka siguruar fansat se ai është nën kujdes të mirë teksa po bëhen gati për të festuar 50-vjetorin e lindjes, të enjten.

Schumacher, ishte pensionuar më 2012, ndërsa nuk është shfaqur në publik që kur pësoi lëndime të rënda në kokë nga një aksident me ski pesë vjet më parë. Gjermani është nën kujdes mjekësor në shtëpinë e tij në Zvicër.

“Jini të sigurt që ai është nën kujdesin më të mirë dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar. Ju lutem të na kuptoni dhe ta mbajmë një çështje të tillë të ndjeshme si shëndeti, siç ka qenë gjithmonë, private”, thuhet në një njoftim të rrallë të familjes, lidhur me gjendjen e ish-kampionit, raporton The Guardian.

Familja ka njoftuar po ashtu se një aplikacion i Michael Schumacherit do të lansohet të enjten për t’ua mundësuar të gjithë fansave të shohin të gjitha sukseset e tij në karrierë. Po ashtu është krijuar një muze virtual.

“Aplikacioni është një tjetër e arritur pas përpjekjeve tona për drejtësi për të dhe ju, fansat e tij, për të festuar të arriturat e tij. Michael mund të jetë shumë krenar me atë që ka arritur, siç ne jemi... Duam të kujtojmë dhe të festojmë fitoret e tij, rekordet dhe jubiletë”, thuhet në njoftim të familjes.

Schumacher mbetet garuesi më i suksesshëm i Formula 1 në histori me 91 fitore.