Sport

Shqiponjat e vitit – Shaqiri dhe Xhaka

Botërori i Francës këtë vit ka qenë absolutisht i jashtëzakonshëm. Përveç ëndrrës së të vegjëlve të Kroacisë e magjisë së Francës, dy shqiptarë të Kosovës kanë lënë gjurmë. Në ndeshjen e shumëpritur ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës, yjet që kanë fluturuar kanë qenë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Helvetikët po humbnin 1:0, kur në pjesën e parë Xhaka lansoi këtë super-raketë për barazim. Menjëherë në festë e përshëndeti botën me shqiponjë. Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej barazim, në skenë doli Xherdan Shaqiri i cili vrapoi fuqishëm, e kaloi portierin dhe e gjunjëzoi Serbinë. Edhe ky u bë një shqiponjë fluturuese, që e irritoi shumë Serbinë. Por, edhe vetë FIFA-n e cila i dënoi ata për gjestin e festimit. Kjo nuk e zbehu gëzimin e miliona shqiptarëve, shumë prej të cilëve nisën fushatën për pagesën e dënimit. Vetë Xhaka e Shaqiri premtuan që nuk do ta përsërisnin gjestin, pas kritikave të shumta që morën nga mediat zvicerane, që vunë në pikëpyetje përkushtimin e tyre për kombëtaren helvetike.

Gjatë vitit, Shaqiri kaloi nga të vegjlit e Stoke Cityt te gjiganti i Premier Ligës, Liverpool, ku është një prej yjeve kryesorë, me asistime e gola, duke përfshirë këta dy për ta fituar derbin më të madh anglez, atë kundër Manchester Unitedit. Xhaka, ndërkohë, ka vazhduar me paraqitjet e luhatshme në Arsenal, që gjithashtu vazhdon të mbetet i luhatshëm.