Lionel Messi i është përgjigjur sfidës së Cristiano Ronaldos që ta lë Barcelonën dhe të ringjallë rivalitetin e tyre në ligën italiane.
Portugezi e ka sfiduar Messin që të tregojë talentin e tij në një ligë tjetër sesa në La Liga pasi Ronaldo la Real Madridin për Juventusin në verën e vitit 2018.
Ronaldo kishte thënë: “Kam luajtur në Angli, Spanjë, Itali, Portugali dhe në kombëtare, derisa ai është ende në Spanjë. Ndoshta i duhem më shumë. Për mua jeta është sfidë dhe më pëlqen t’i bëj njerëzit e lumtur. Do të doja që ai të vinte në Itali një ditë. Si unë, të pranojë sfidën”.
Sidoqoftë, Messi, që me Barcelonën është në krye të La Ligas, i është përgjigjur ftesës së Ronaldos.
“Të pranoj ftesën e Ronaldos për t’iu bashkuar në futbollin italian? Nuk më duhet ndryshimi”, ka thënë Messi për Marcan.
“Jam në ekipin më të mirë në botë. Sfidat e mia janë të reja vit pas viti. Nuk më duhet ndryshimi i ekipit apo ligës për të caktuar sfida të reja. Jam në shtëpi dhe nuk më duhet ndryshimi”, ka thënë Messi që këtë sezon ka realizuar 21 gola dhe 13 asistime.