Akil e Nora Gjakova “Sportistët e Vitit” nga Grupi KOHA  Foto: Koha

Akil e Nora Gjakova “Sportistët e Vitit” nga Grupi KOHA

26 December 2018 22:18

Xhudistët Akil dhe Nora Gjakova janë shpallur sportistët më të mirë për këtë vit nga “Grupi KOHA”, në ceremoninë e 20-të jubilare të ‘Sportistit të Vitit’.

KOHA ka shpërblyer e dalluar sportistët më të mirë të vendit, që nga viti 1997, në periudhën e vështirë të pasluftës, kur atëbotë Koha Ditore shpalli për herë të parë sportistin më të mirë të vitit. Në kohën e pasluftës, së bashku edhe me redaksinë e Kohavisionit, është vazhduar tradita për të nderuar me çmime sportistët më të mirë të vendit.

Të mërkurën, në ambientet e hotelit “Emerald”, familja e xhudistëve Gjakova u dallua nga juria profesionale, në një befasi për të pranishmit, duke ndarë çmimet për Norën e Akilin, në të njëjtën kohë.

Akili e pati vitin më të suksesshëm në karrierë, në kategorinë deri në 73 kg. E fitoi titullin e Evropës në Grupmoshën U23 dhe në Lojërat Mesdhetare. E nisi vitin me medalje të argjendtë në Grand-Prixin e Tunisit, e fitoi më pas të artën në ngjarjen e Grand-Slamit të Parisit. I shtati doli në Evropianin për seniorë, ndërsa në Grand-Prixin e Zagrebit, doli i pari. Vende të dyta mori në Grand-Slamin e Abu Dhabit dhe Grand-Prixin e Hagës dhe është i vetmi sportist i Kosovës që marshon sigurt drejt normës olimpike.

Nora, nga ana tjetër, e fitoi titullin e Evropës në kategorinë deri në 57 kg. Ajo fitoi vendet e para në Tunizi e Antalia dhe në Lojërat Mesdhetare. E pesta doli në Grand-Prixin e Zagrebit dhe e shtata në Botëror. Më pas, triumfoi në Grand-Slamin e Abu Dhabit, e me të argjendtën u stolis në Grand-Prixin e Tashkentit.

Xhudistët dominuan edhe në kategori të tjera.

Si sportistja më e mirë e re për vitin 2018-të u shpall xhudistja Erza Muminoviq. Ajo e fitoi të bronztën për Kosovën në Lojërat Olimpike për të Rinj.

Sportisti më i mirë i ri i vitit u shpall xhudisti Shpat Zeka, i cili suksesin më të madh këtë vit e pati në Evropianin për juniorë në Sofje, duke e fituar medaljen e argjendtë.

Majlinda Kelmendi, megjithëse nuk mori pjesë në shumë gara sivjet, për shkak të lëndimit, ajo e fitoi çmimin Sportistja e Vitit sipas votimit në internet, pasi Kampionia e Artë Olimpike mblodhi 32.% të votave dhe, për të, ky ishte shpërblimi i shtatë rresht.

Për nder të Kelmendit, për herë të dytë rresht, ndahet çmimi “Majlinda Kelmendi”, çmim ky që ndahet për sportistët dhe meritorët për arritje kulmore në karrierë. Këtë çmim Kelmendi e ndau për legjendën e futbollit Fadil Vokrri, i cili vdiq më 9 qershor, pas një sulmi në zemër.

Majlinda Kelmendi, për të pranishmit, evokoi disa kujtime të saja me Vokrrin.

Trajneri i saj dhe i të gjithë xhudistëve në Kosovë, Driton Kuka, duke udhëhequr nxënësit e tij, së bashku me ndihmësit e tij, që i sollën vendit 50 medalje gjatë vitit 2018, nga juria u shpall punëtori sportiv i vitit.

E, për suksesin e madh gjatë vitit, pa pësuar asnjë humbje dhe duke qenë sensacioni i Ligës së Kombeve, Kombëtarja e Kosovës dhe përzgjedhësi Bernard Challandes, u shpërblyen nga Koha, me mirënjohje të veçantë.

Tradicionalisht, në ceremoninë e Sportistit të Vitit, dallohen edhe klubet në të dy konkurrencat.

Klubi më i mirë te meshkujt u shpall KF Drita, që fitoi titullin e kampionit në Kosovë dhe Superkupën. Ndërkohë, skuadra gjilanase ishte e para që kaloi një rreth garash në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.

Epitetin e ekipit më të mirë në konkurrencën e femrave e mori klubi i hendbollit Istogu, skuadër kjo pa palestër, por që ka kaluar rrethin e parë të garave evropiane, “Challenge Cup”.

Grupi KOHA, në Ceremoninë e Sportistit të Vitit, ndau edhe mirënjohjen për vepër jetësore, e cila iu nda trajnerit shumëvjeçar të futbollit, Ajet Shosholli.

Ceremonia e Sportistit të Vitit 2018-të, e organizuar nga Grupi KOHA, do të transmetohet në ditën e parë të Vitit të Ri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme