Sport

Sezoni i dobët i Bashkimit, lë në hije basketbollistin më efikas të ligës

Kampioni në fuqi Bashkimi, erdhi me shumë ndryshime në sezonin e ri.

Skuadra që edicionin e kaluar u shpall kampione e Kosovës, pësoi ndryshime të mëdha që erdhën në kryesinë e klubit, te shtabi teknik dhe lojtarët e shumtë të ardhur e të larguar, transmeton KTV.

Njëri nga përforcimet e reja, nga fillimi i sezonit, alo-qendra amerikane Jordan Capps, ka qenë pika kryesore e Bashkimit në këtë sezon, por forma e dobët e klubit në këtë sezon, e kanë lënë në hije basketbollistin amerikan.

Capps është lider i koshashënuesve në ligën ballkanike me 26 pikë për ndeshje, por ekipi i tij në ligën rajonale ka vetëm një fitore nga pesë ndeshjet e zhvilluara.

23-vjeçari, në 14 ndeshjet e zhvilluara në Superligë, është po ashtu basketbollisti më i dalluar te prizrenasit me 28 pikë për ndeshje, 8.3 kërcime dhe 2.2 asistime.

Madje në ndeshjen me Borean dy javë më parë, ai i realizoi 41 pikë, në fitoren e Bashkimit prej 116:61.

Për Sportin në KTV, Capps thotë se për të është viti i parë në basketbollin profesionist, duke folur edhe rreth të ardhmes së tij me Bashkimin.

Paraqitje fantastike, alo-qendra amerikane kishte edhe në Ligën Ballkanike, por ai synon që këto t’i kurorëzojë me trofe.

Bashkimi ka më shumë humbje të pësuara, se sa fitore në të dy garat sivjet.

E vitin e kaluar, kjo skuadër kishte arritur në finale, në të tri garat që mori pjesë, duke e fituar një trofe, titullin e kampionit të Kosovës.

Për formën e dobët, është në dijeni edhe trajneri i skuadrës, Krunoslav Krajnoviq.

Por, trajneri i prizrenasve beson se skuadra do të stabilizohet në edicionin pranveror.

Bashkimi sezonin vjeshtor në Superligë, e mbylli në pozitën e pestë, që në fund të sezonit, e lë jashtë Play-Offit, andaj viti i ri i gjen me shumë punë kryesinë, trajnerët dhe basketbollistët.