Sport

Nuhiu ka harruar si shënohet goli

Descriptive Text

Shtatë muaj më parë Atdhe Nuhiu ishte një nga sulmuesit më të frikshëm në kampionat. Sulmuesi shtatlartë shënoi nëntë gola në tetë ndeshjet e fundit të edicionit të kaluar.

Paraqitjet e fundit të edicionit të kaluar i bindën drejtuesit e skuadrës t'i ofrojnë kontratë të re dyvjeçare. Nuhiu po shijonte periudhën më të mirë te Sheffield Wednesday, shkruan sot Koha Ditore.

Por këtë edicion gjërat nuk kanë shkuar sipas planit për 29-vjeçarin, edhe pse e nisi me gol edicionin 2018/2019. Goli i shënuar në ndeshjen e parë të "Championshipit" të Anglisë kundër Wiganit është i vetmi në 18 ndeshje të zhvilluara këtë edicion.

"Nuhiu nuk e ka gjetur rrjetën që nga ndeshja hapëse kundër Wiganit. Nuhiut i ka humbur besimi dhe nuk ka shënuar asnjë gol në 18 ndeshje. Ai ka pasur hapësirë për të luajtur, por nuk ka arritur të shënojë. Nuhiu e ka lëshuar një rast të artë në fund të ndeshjes së kaluar kundër Rotherham United. Po preferohet nga trajneri, por tifozët janë të pakënaqur me mosefikasitetin e tij dhe kanë kërkuar nga trajneri që të mos i japë shumë hapësirë. Por trajneri Jos Luhakay nuk është i shqetësuar me formën e dobët që po kalon Nuhiu. Trajneri është i bindur se është vetëm çështje kohe kur Nuhiu do t'u kthehet golave", ka shkruat "thestar.co.uk" të martën.

Nuhiu edhe edicionin e kaluar pati start të dobët. Por në fund shpërtheu duke shënuar nëntë gola. Në total edicionin e shkuar në 28 ndeshje shënoi 11 gola dhe kontribuoi me pesë asistime.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).