Sport

Prishtina fton shqiptarët në Gjermani për mbështetje ndaj S. Oliverit

Te Z Mobile Prishtina po shpresojnë që edhe fazën e dytë të FIBA Europe Cup ta nisin sikurse të parën, me fitore, shkruan sot Koha Ditore.

E kanë parasysh se kësaj here do të jetë shumë më vështirë, por shpresojnë se shqiptarët që jetojnë në Wuerzburg apo edhe në qytetet më të afërta si Frankfurt e Nuremberg, do të jenë në palestrën e këtij qyteti "S. Oliver Arena" të mërkurën mbrëma (19:00), dhe t'i japin krahë në duel me skuadrën vendase, S. Oliver Wuerzburg.

"Kemi përballë një ekip shumë të fortë, por pres që palestra të jetë e mbushur me bashkatdhetarët tanë që jetojnë atje dhe të na përkrahin", ka thënë basketbollisti i Prishtinës, Dardan Berisha.

Kjo është ndeshja e parë e fazës së dytë, aty ku janë mbledhur 16 ekipet më të mira të kësaj gare të ndara në katër grupe.

S. Oliver Wuerzburg fazën e parë e përfundoi si lider i Grupit A, me katër fitore e dy humbje, ndërkohë Prishtinës bilanci i njëjtë i mjaftoi për të dalë e dyta në Grupin E.

Tash Prishtina dhe S. Oliver Wuerzburg i takojnë Grupit I të fazës së dytë, të cilin e përbëjnë edhe Szolnoki Olaj (Hungari) e Pinar Karshiyaka (Turqi) që do të përballen mes vete, po ashtu të mërkurën (sot). (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore­).