Familja e Cristiano Ronaldos ka reaguar ashpër pasi ylli i Juventusit nuk e fitoi Topin e Artë të hënën në mbrëmje në ceremoninë e mbajtur në Paris.
Portugezi po shpresonte të fitonte Topin e gjashtë të Artë pas shkëlqimit sezonin e shkuar me Real Madridin ku fitoi Ligën e Kampionëve, por i pari doli Luka Modriq që pos Championsit udhëhoqi Kroacinë drejt finales në Kupën e Botës. Ronaldo doli i dyti në votim.
“Fatkeqësisht, kjo është bota ku jetojmë, e kalbur, me mafia dhe para të fëlliqura. Fuqia e zotit është më e madhe se e gjithë kjo qelbësirë. Zotit i duhet kohë, por nuk harron”, ka shkruar motra e Ronaldos, Elma Aveiro.
Motra tjetër e portugezit, Katia, po ashtu ka reaguar në rrjete sociale. “Lojtari më mirë në botë... për ata që e kuptojnë futbollin sigurisht”, ka shkruar ajo teksa ka postuar foton e Ronaldos me këtë trofe.
Modriq me këtë triumf theu dominimin Ronaldo – Lionel Messi të cilët fituan Topin e Artë në dhjetë vjetët e fundit.