Robben paralajmëron largimin nga Bayerni Foto: Reuters

Robben paralajmëron largimin nga Bayerni

03 dhjetor 2018 10:45

Sulmuesi anësor holandez, Arjen Robben, ka njoftuar të dielën se do të largohet nga gjiganti gjerman Bayern Muencheni në fund të stinorit, pas një dekade plot suksese.

Robben 34-vjeçar i është bashkuar Bayernit në vitin 2009 dhe menjëherë formoi një partneritet të suksesshëm ofensiv me francezin Franck Ribery, që po ashtu pritet të largohet në fund të stinorit.

“Mund të them se ky është stinori im i fundit te Bayerni dhe është mirë kështu”, ka thënë Robben për gazetarët pas një takimi që pati me një grup të tifozëve, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

“Kam marrë këtë vendim personalisht. Mendoj se është momenti i duhur pas dhjetë vjetëve. Klubi ecën para dhe unë vazhdoj tutje. Është fundi i një periudhe shumë të mirë dhe të gjatë”.

Robben ka shënuar 98 gola në 198 ndeshje në Bundesligë për Bayernin që nga transferimi në vitin 2009 dhe ka luajtur në tri finale të Ligës së Kampionëve, më 2010, 2012 dhe 2013, duke e fituar titullin në tentimin e tretë me Bayernin.

Ai po ashtu ka fituar shtatë herë Bundesligën, përfshirë gjashtë rresht dhe katër herë Kupën e Gjermanisë.

Robben, që po ashtu ka fituar ligën me PSV-në, Chelsean e Real Madridit dhe është paraqitur edhe në finale të Botërorit 2010 me Holandën, ka treguar se nuk e ka ndërmend të pensionohet.

“Unë do të vazhdoj. Nuk do të ndalem plotësisht”, ka thënë ai.

Këtë stinor me Bayernin, Robben ka luajtur në 15 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar dy.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme