Sport

Kapiteni Berisha optimist për ndeshjen ndaj Rumanisë

Kapiteni i Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, bashkë me basketbollistin tjetër Fisnik Rugova janë shprehur optimist për ndeshjen e sotme ndaj Rumanisë në parakualifikimet për Eurobasket 2021.

Ndeshja zhvillohet sot në ora 17:00 e Kosova paraqitet vetëm me basketbollistë vendorë.

“Do të jetë shumë ndeshje e vështirë për ne, kemi mungesa, por definitivisht kemi për të luftuar për fitore... Kundërshtari është i fortë dhe i përgatitur fizikisht shumë mirë, por definitivisht edhe ne i kemi shanset tona për fitore”, ka thënë Berisha.

Edhe Rugova ka thënë se pret ndeshje të vështirë, por është shprehur optimist për ndeshjen.

“Edhe në Rumani do të tentojmë fitoren e parë në grup. Do të jetë vështirë, kemi disa mungesa, por do japim maksimumin. Jemi përgatitur shumë mirë dhe besoj se do ia dalim. Edhe Rumania ka mungesa dhe pres duel të barabartë deri në fund”, ka thënë Rugova për Koha.net.

Ndeshja i takon Grupit B parakualifikues, të cilit i prin Maqedonia me katër pikë pas fitoreve ndaj Kosovës e Rumanisë, që renditen në pozitat dy e tre me nga një pikë.