Në një intervistë ekskluzive për KTV-në, portieri i ri i Kosovës dhe i Manchester Cityt, Arijanet Muriqi, ka dhënë detaje nga karriera e tij në futboll.
Ai ka treguar se fillimisht ishte marrë me sportin e karatesë e më pas kishte dal në futboll.
“Arsyeja pse kam filluar me futboll ka qenë për shkak të shokut të babait. Jam marrë me sportin e karatesë, por ai më tha le ta provojmë një herë si futbollist. Dhe, kjo ka qenë arsyeja kryesore. Kam qenë 11-vjeçar kur kam filluar të luaj futboll”, ka treguar ai.
Për vendimin e trajnerit të Cityt, Pep Guardiola që ta kthejë Muriqin nga huazimi te NAC Breda, portieri i gjatë ka thënë se ka besimin e plotë të spanjollit.
“Mendoj se kam shumë mundësi me trajnerin e portierëve dhe mendoj se ka qenë zgjedhja e tij. Madje, edhe Pep Guardiola, e njoh atë, edhe ai më njeh mua. Dhe nëse ai më beson, më beson me të vërtetë”, ka thënë Muriqi.
Muriq ka shtuar se ndihet shumë mirë kur merr kritika nga trajneri i tij Guardiola.
“Më pëlqen kur ai më bërtet shumë mua kur bëj diçka gabim apo kur rrezikoj në stërvitje. Më pëlqen me të vërtetë. Është moment shumë i bukur”, është shprehur ai.
Për bashkëlojtarët e tij te kampioni i Premier Ligës ka thënë se të gjithë punojnë shumë, teksa ka përmendur Fabian Delphin si një nga ata që bën më së shumti përpjekje.
“Çdo futbollist atje punon shumë dhe nuk mund ta veçoj ndonjë futbollist. Nuk mund ta them një emër, i gjithë ekipi punon fort dhe për këtë arsye nuk mund ta them një emër. Ka shumë të tillë që japin më të mirën. Mendoj se është Fabian Delph. Përpjekjet e tij për të arritur janë shumë të larta. Punon shumë”, ka deklaruar Muriqi.
Për trajnerin e tij, Muriqi ka thënë se është njeri shumë inteligjent. Ka thënë se inteligjenca e tij e bën të veçantë dhe se nga ai mund të mësojë shumë gjëra. “Është një njeri shumë inteligjent. Di shumë gjëra. Ai di gjithçka. Është thjesht i veçantë, inteligjent. Këto gjëra e bëjnë atë të jetë i veçantë. Mund të mësosh shumë gjëra nga ai”.
I pyetur nga KTV-ja se mund të luajë Kosova sikur Manchester City, Muriqi ka thënë se mund të arrihet nëse ka shumë lojë.