Kosova pret shumë nga amerikani i saponatyralizuar

Kosova pret shumë nga amerikani i saponatyralizuar

21 November 2018 09:23

Një amerikan i ri dhe lojtarë të konfirmuar e të pakonfirmuar kanë zënë vend në përfaqësuesen e Kosovës për dy ndeshjet e ardhshme, që mund të jenë vendimtare për këtë cikël, shkruan sot Koha Ditore.

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mulaomeroviq të martën ka publikuar listën me emrat e 14 lojtarëve, në të cilët llogarit për ndeshjet me Rumaninë e Maqedoninë. Të dy ndeshjet luhen në udhëtim, ndërsa janë të vlefshme për Grupin B të raundit të dytë të parakualifikimeve për "Eurobasket 2021".

Emër i ri te Kosova është plejmejkeri amerikan Malcolm Armstead, që është ftuar pasi dy amerikanët e tjerë të natyralizuar, Scott Bamforth e Shawn Jones nuk kanë shfaqur shumë interesim që të bashkohen me Kosovën për ndeshjet që luhen më 29 nëntor e 2 dhjetor. Kosova më 29 nëntor luan ndaj Rumanisë në Oradea, ndërsa më 2 dhjetor ndaj Maqedonisë në Gjevgjeli.

Aktualisht në grup prin Maqedonia që i ka katër pikë, pas fitoreve ndaj Kosovës (76:73) në Prishtinë më 13 shtator dhe ndaj Rumanisë më 16 shtator (90:76). Kosova e Rumania i kanë vetëm nga një pikë. Vetëm vendi i parë siguron kualifikimet për "Eurobasket 2021", ndërsa dy vendet e tjera dërgojnë në raundin e tretë parakualifikues. Pra Kosova edhe në rast të dështimit, do të ketë një rast tjetër.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme