Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, ka thënë se kualifikimi në Ligën C të Ligës së Kombeve i dedikohet popullit të Kosovës dhe historisë së tij.
Ujkani, i cili nuk u paraqit në ndeshjen e fundit ndaj Azerbajxhanit në Grupin 3 të Ligës D duke ia liruar vendin Arijanet Muriqit, ka thënë se portieri i Manchester Cityt pati paraqitje shumë të mirë në fitoren 4 me 0.
“Kush vjen për Kosovën duhet të jetë gati për këtë fanellë dhe të jetë krenar për të përfaqësuar Kosovën. E dimë çka kemi vuajtur më përpara dhe për këtë arsye shumë urime Kosovë. Muriqi pati paraqitje shumë të mirë. Shpresojmë të ecim kështu përpara. Kualifikimin ia dedikojmë krejt Kosovës, historisë së saj, ish-presidentit të Federatës dhe atij aktual. Më së shumti për historinë e popullit”, ka thënë ai.
Ujkani ka porositur lojtarët dhe tifozët që të rrinë me këmbë në tokë për ndeshjet e “Play-Offit” të vitit 2020. Kosova me këtë triumf u kualifikua në gjysmëfinale të “Play-Offit” ku do të luajë me Maqedoninë e nëse fiton luan në finale me fituesin e duelit Gjeorgji-Bjellorusi. Fituesi i “Play-Offit” shkon direkt në Kampionatin Evropian 2020.