Kosova ka shënuar sukses historik të martën duke u bërë një nga katër kombëtaret që kanë siguruar kualifikimin në Ligën C, nga ajo D, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në Grupin 3 të ligës së fundit të garës më të re të UEFA-s, Kosova triumfoi duke dalë e para nga katër shtete. Kosova grumbulloi 14 pikë në 6 ndeshje, duke mos pësuar asnjë humbe. Katër fitore e dy barazime ishte bilanci përfundimtar në grupin ku ishte edhe Azerbajxhani, Ishujt Faroe e Malta.
Por si rrodhi ky sukses historik për Kosovën?
Kosova e nisi sfidën e Ligës së Kombeve më 7 nëntor në Azerbajxhan. Aty barazoi pa gola duke dhënë shkëndijat e para të suksesit.
Tre ditë më pas, në “Fadil Vokrri”, “Dardanët” pritën Ishujt Faroe. Triumfuan 2 me 0 me dy gola të shënuar në pjesën e dytë nga Arbër Zeneli dhe Atdhe Nuhiu.
Ndeshjen e tretë, Kosova e zhvilloi sërish si vendase. Kësaj radhe në Prishtinë zbriti Malta që u mposht 3 me 1. Dy gola për Kosovën i realizoi Benjamin Kololli, teksa një tjetër e shënoi Vedat Muriqi.
Tre ditë pas fitores ndaj Maltës, Kosova udhëtoi drejt Ishujve Faroe. Një gol i Milot Rashicës nuk i mjaftoi Kosovës që të marrë tri pikë të plota. Kosova mori vetëm një pikë pasi barazoi 1 me 1.
Fitorja më e thellë erdhi së fundmi. “Dardanët” shkelën Maltën si mysafire me rezultat 0 me 5 për fitoren më të thellë në histori të përfaqësueses. Donis Avdijaj shënoi dy herë, ndërsa nga një gol e realizuan edhe Vedat Muriqi, Benjamin Kololli e Milot Rashica.
Sot, më 20 nëntor, Kosova fitoi ndaj Azerbajxhanit 4 me 0 për të mbyllur fazën e grupeve në Ligën D. Tre gola i realizoi Arbër Zeneli e një tjetër Amir Rrahmani.
Pas këtij triumfi, Kosova ngjitet një rang më lartë, teksa ka një mundësi shtesë për kualifikim direkt në Evropianin 2020. Për të kaluar në këtë kampionat, Kosova në mars të vitit 2020 luan me Maqedoninë dhe nëse fiton atë ndeshje përballet me fituesin e duelit Gjeorgji-Bjellorusi për t’u caktuar ekipi që shkon në Euro 2020 nga Liga D.